E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Shkodër, fitore dhe akuza arbitrave në Vlorë



Leonard Karaj

Vllaznia ka fituar ndaj Laçit në një ndeshje mjaft të tensionuar, ndërsa Flamurtari ka marrë tri pikë ndaj Tiranës ku në qendër të vëmendjes janë vënë arbitrat anësorë.
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Laçit është shoqëruar që nga minuta e parë nga një tension i madh si në fushë por edhe në shkallët e stadiumit. Në minutën e 8-të, Bala është penguar brenda zonës nga portieri Llani, por arbitri ka vazhduar lojën. Menjëherë gjithë futbollistët shkodranë, të revoltuar kanë protestuar tek arbitri Enea Jorgji. Si për të tensionuar edhe më shumë situatën në konflikt futen dhe lojtarët e Laçit. Kur u duk se gjithçka po shkonte mirë pas shënimit të golit nga ana e lojtarëve shkodranë ka qenë tekniku i tretë i ekipit laçian, Kastriot Rama që është revoltuar me gjyqtarin e takimit dhe më pas edhe me atë të katërt, i cili ka kërkuar ndihmën e policisë për të dërguar jashtë fushës së lojës. Pas kësaj minute situata u duk se shkoi drejt normalizimit, por në pjesën e dytë tensioni u rrit në shkallët e stadiumit ku tifozeria laçiane, e pranishme në Shkodër, nuk ka nguruar që të lëshojë një gur në drejtim të mesfushorit Amarildo Belisha, i cili ndodhej pranë flamurit të këndit në ekzekutim të një goditje këndi.
Ndërsa në Vlorë ka pasur një ndeshje me përmbysje, por edhe me veprime tepër të dyshimta të gjyqtarëve, sidomos të dy anësorëve, Ergin Doda dhe Emiljano Bicaku. Një gol i anuluar për Tiranën, por edhe goli i dytë i vlonjatëve, i pretenduar në pozicion jashtë loje nga bardheblutë, kanë përbërë “menynë” e kontestimeve të kësaj ndeshjeje. Pjesa e parë është mbyllur me fitoren 1-0 të kryeqytetasve, me golin e shënuar nga Plaku në minutën e 20-të, ndërsa fraksioni i dytë i lojës ka sjellë edhe përmbysjen kuqezi. Në minutën e 52-të ka qenë Veliu, ai që ka barazuar rezultatin, ndërsa në minutën e 75-të ka qenë Shehaj, ai që ka kaluar në epërsi vendasit. Një gafë tjetër e portierit Nallbani, që s’mund ta bëjë as një amator, si në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Besën, ka sjellë edhe golin e tretë për vlonjatët, i cili mban firmën e Migen Memellit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›