Tiranë, tre persona grabisin me armë kazinonë dhe zhduken
TIRANE - Tre persona të armatosur, pa maska, ishin protagonistë të një grabitje që ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në afërsi të Shkollës së Bashkuar në kryeqytet. Objekt i grabitësve ishte një kazino përballë "Shkollës së Bashkuar", tek rruga e Dibrës në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit, vetëm disa sekonda para se lokali i lojërave të fatit, të mbyllte aktivitetin. Burime nga policia thanë se në momentin e ngjarjes, në kazino ishin tre persona, pronari bashkë me një mikun e tij dhe roja. Sipas deklarimeve që ata dhanë në polici, mësohet se shuma e parave të grabitura, është rreth 3 milionë lekë të vjetra, 2.2 milionë lekë dhe 250 euro. Dëshmitarët thanë se brenda kazinosë u futën dy persona me pistoleta në duar, por pa maska. Në vend të maskave ata kishin vënë kapele dhe kishin ulur strehën që të mos u dukej fytyra. Vetëm pasi morën paratë, nën kërcënimin e armëve, personat e pranishëm në kazino, kuptuan se ishin tre autorë, ndërsa personi i tretë qëndronte tek hyrja e lokalit, duke kontrolluar rrugën. Më pas ata u larguan me një makinë, e cila lëvizi në drejtim të rrugicave të lagjes Allias. Sipas policisë, dy personat që hynë në kazino janë ndihmuar nga një i tretë, i cili qëndroi jashtë sallës së lojërave me një pistoletë tek dera e jashtme, për të pasur nën kontroll rrugën dhe në çdo rast që mund të shikonte ndonjë patrullë policie të sinjalizonte shokët. Në atë moment pronari i lokalit të lojërave të fatit sapo kishte mbyllur aktivitetit dhe po largohej bashkë me një mikun e tij, e ndërsa roja po priste që të siguronte dyert e brendshme e më pas të mbyllte derën kryesore të kazinosë. Por teksa bëheshin gati për të dalë, u përballën me dy tyta armësh, të drejtuara nga dy persona që kishin vënë kapele duke fshehur fytyrën. Tre grabitësit i kishin ndarë mirë "detyrat" dhe njëri mbajti rojën, tjetri pronarin dhe mikun e tij, ndërsa personi i tretë u drejtua nga arka, duke e boshatisur dhe mori paratë që ishin mbledhur gjatë ditës, rreth 3 milionë lekë të vjetra, të cilat i futi në një çantë shpine. Në atë kohë sapo ishin stakuar edhe kamerat e sigurisë, që mund vinin në ndihmë më pas për identifikimin e autorëve. Pasi morën paratë, ata u larguan me shpejtësi, duke hipur në një makinë, me të cilën u drejtuan nga lagjia Allias. Pronari i kazinosë lajmëroi menjëherë policinë dhe në vendin e ngjarjes shkuan efektivat e Komisariatit nr.4 dhe oficerë të seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Mësohet se janë shoqëruar disa persona për t'u marrë në pyetje rreth ngjarjes, por autorët ende nuk janë ndaluar edhe pse policia thotë se u identifikuan.