Bllokohen 2 kg heroinë në dalje të Fierit, arrestohen dy persona
FIER - Policia e Fierit bllokon 2 kg heroinë dhe arreston dy kushërinj, transportues të lëndës narkotike. Pas informacioneve për qarkullimin e drogës, forcat e policisë organizuan aksionin "Dalja", i cili u finalizua rreth orës 16:30, pikërisht në dalje të qytetit të Fierit. Nga burimet zyrtare të policisë së Fierit bëhet e ditur se, ndërsa po lëvizte në drejtim të Vlorës, u ndalua mjeti tip "Peugeot", me targë VL 4248 C, ku ndodheshin kushërinjtë Altion dhe Rafael Troka, 22 dhe 23 vjeç. Dy të rinjtë, banorë të Vlorës, janë detyruar të zbresin nga makina, kontrolli në të cilën zbuloi sasinë e drogës. Sipas zëdhënëses së policisë së Fierit, poshtë sedijes së shoferit, u gjet një çantë kartoni, brenda së cilës ndodheshin 4 qese me lëndë të dyshuar si heroinë. Menjëherë është bërë bllokimi i lëndës dhe mjetit, ndërsa dy djemtë u arrestuan në kushtet e flagrancës, me akuzën e "trafikut të lëndës narkotike". Në cilësinë e provës u bllokuan dhe tre aparate celularë. Nuk bëhet e ditur se ku e kishin marrë lëndën narkotike dy kushërinjtë Troka, e cila po transportohej drejt qytetit të lindjes, në Vlorë. Ata po merren në pyetje nga grupi hetimor, për të hedhur dritë mbi linjën dhe personat e dyshuar si bashkëpunëtorë. Mësohet se Altion Troka kishte precedent të mëparshëm penalë. Pas marrjes së dëshmisë së tyre priten arrestime të tjera nga ana e policisë. Për ndalimin e dy personave, policia e Fierit ka bashkëpunuar me atë të Vlorës, në zbulimin e drogës.