Furgoni me 1 ton kanabis, pranga pronarit
SARANDE - Arrestohet pronari i makinës ku u zbulua mbrëmjen e së shtunës 1 ton kanabis sativa. Avni Seferi, 21-vjeçari nga qyteti i Gjirokastrës u prangos në qytetin e Sarandës, pasditen e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim menjëherë pasi u zbulua se furgoni ishte në pronësi të tij. Policia është në kërkim të personave të tjerë, pasi dyshohet dhe për 2 bashkëpunëtorë, ndërsa nuk ka të dhëna mbi skafin me të cilin do të transportohej droga drejt Italisë. Nga ana e policisë së Sarandës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Migracionit Qarku Vlorë është organizuar puna për kontrollin dhe krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Sasia e madhe e drogës u bllokua rreth orës 20:30 të së shtunës, duke finalizuar aksionin e koduar "Vazhdimi". Lënda narkotike u gjet në vendin e quajtur "Gjiri i Kasolles" në afërsi të Sarandës, brenda furgonit "Benz" me targë VL 6394 B. Pasi mjeti është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur në aksin rrugor Marinë-Kasolle menjëherë janë vënë në ndjekje të tij forcat policore, duke u bërë e mundur bllokimi. Por drejtuesi i mjetit, duke përfituar nga errësira dhe terreni i përshtatshëm është larguar menjëherë. Pas kontrollit të ushtruar në automjet është konstatuar se në brendësi të tij ndodheshin disa çanta të mëdha me ngjyrë të zezë ku brenda tyre ndodheshin pako të mbështjella me natriban të mbushura me material bimor e dyshuar si kanabis sativa. Peshimi i saj zbuloi se bëhej fjalë për 1 ton, e cila do të transportohej për në Itali. sh.d