E Diel, 1 Nëntor 2026

Aventurierëve të së majtës komuniste nuk u mungoi dështimi i 10 tetorit, duan edhe turpin e 20 nëntorit

Edi Rama dhe klani enverist në Partinë Socialiste nuk po kanë të ndalur në luftën e tyre pa princip dhe të çmendur kundër interesave kombëtare. Në këtë pikëpamje u ngrit si nga varri edhe Ramiz Alia për të inkurajuar kastën enveriste me thirrjen se “shumë njerëz po kërkojnë sikur të ngjallet edhe njëherë Enver Hoxha”. Nuk vonoi dhe menjëherë Gramoz Ruçi, ish-Ministri i sigurimit komunist dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë me një deklaratë publike në emër të PS, sulmoi në bllok institucionet ndërkombëtare, OSBEODIHIR, Komisionin Europian, BE, Kongresin Amerikan, se “neve nuk kemi nevojë më për këshillat e tyre”. Si për të mos mbetur më pas në këtë linjë, dje artikuloi edhe Arta Dade.
Edi Rama në një gjendje të rëndë nervore sulmoi të gjithë faktorin ndërkombëtar në vlerësimin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke bërë thirrje nga Berati për një protestë tjetër në Tiranë me 20 nëntor, për “hapjen e kutive”. A thua se nuk mori mësime në protestën e 10 Tetorit, kur nuk iu bindën të marrin pjesë as punonjësit e Bashkisë së Tiranës, megjithë kërcënimet e pushimit nga puna. Duke pare foton e marrë nga lart për mitingun e PS dhe të prezantuar edhe me pamje filmike,shihet qartë se ishte protesta më minore e mbajtur ndonjëherë në Tiranë. Deklaratat e Ramës për pjesëmarrje të mijëra njerëzve ishin në vazhdën e gënjeshtrave absurde të njeriut që urrejtja dhe mania për pushtet dhe kundër kundërshtarëve politikë i ka errësuar sytë dhe humbur logjikën. Populli dhe socialistët e Tiranës e bojkotuan në bllok thirrjen e Edi Ramës. Ata bojkotuan protestën duke lënë në një shesh pothuaj të zbrazur vetëm socialistët e ardhur me autobus edhe ata me pahir nga pushtetarët vendorë të rretheve të tjera të vendit. Gënjeshtrat e Ramës për “pjesëmarrje masive” dhe për mijëra firma u injoruan për faktin se qytetarët e Tiranës u bënë dëshmitarë të një mashtrimi të radhës të propagandës tipike komuniste. Duke mos u ndalur në aventurën e tij të çmendur përballë kundërshtimit gjithnjë në rritje dhe presionit për dorëheqje që vjen brenda forumeve dhe anëtarësia e PS, tani Rama po përpiqet të korrigjojë sa të jetë e mundur dështimin e protestës së 10 Tetorit, me shpresën se mundet të grumbullojë njerëz nga rrethet e tjera, duke i mashtruar me një “dietë” modeste, sa për të pirë një kafe në lokalet e kryeqytetit
           Duke injoruar faktorin ndërkombëtar, e majta komuniste po tregon se nuk po mundet të shkëputet nga mentaliteti i urrejtjes patologjike kundër demokracive perëndimore. Këta trutharë me një kokëfortësi injorantësh nuk duan të pranojnë faktin se Shqipëria në NATO dhe kërkesa për anëtarësim në BE e bëjnë të detyrueshme plotësimin e standardeve në zbatim të reformave demokratike. Partia Socialiste, me qëndrimin e saj kundër institucioneve ndërkombëtare, duke mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve me bojkotin e Parlamentit, hapur po synon të pengojë Shqipërinë në liberalizimin e plotë të vizave, si edhe pengimin e reformave të domosdoshme që kërkojnë quoruum-in e nevojshëm të votave. Nga ana tjetër, edhe institucionet ndërkombëtare po e kuptojnë çdo ditë e më tepër se sa të vështirë e ka patur dhe do ta ketë qeveria “Berisha” me një opozitë destruktive enveriste me një lidership që vjen me një të kaluar kriminale të regjimit komunist. Duke vlerësuar zgjedhjet e 28 Qeshorit si “më të mirat të zhvilluara deri sot në Shqipëri”, faktori ndërkombëtarë po shton trysninë ndaj Edi Ramës për të kthyer opzitën në Parlament. Kushtet absurde të Ramës që komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 Qeshorit ta kryesojë opozita që do të ketë edhe shumicën, është një orvatje dritëshkurtër për të diktuar në Parlament gjoja “manipulimin” e zgjedhjeve. Edhe përpjekjet e një pjese të kësaj partie për t’u çliruar nga qerthulli enverist ku ka rënë opozita, po mbyten nga arroganca prej diktatori të Edi Ramës, Gramoz Ruçit e co, të ndjekur nga një lukuni çakejsh të katapultuar në këtë parti për hir të prejardhjes së tyre si pinjoj të kastës së kuqe të Komitetit Qendror. Në aventurën e tij që nuk ka të ndalur, tani Edi Rama duke llogaritur se PS gjithnjë dhe vazhdimisht ka humbur zgjedhjet pas vitit 2005, i imponuan Asamblesë socialiste vendimin për të bojkotuar edhe zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në 5 Bashki e Komuna të vendit. Qytetarët, por edhe demokracia në Shqipëri po përballet në këtë moment deciziv me papërgjegjëshmërinë e të majtës komuniste, kur institucionet monitoruese ndërkombëtare janë përpara vendimeve të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen europiane. Edhe një sharlatan politik si Spartak Ngjela, një kameleon që u përpoq të shikonte ëndrra me sy sa herë në politikën e ditës, plasi si flluskë sapuni akoma pa mbërritur “plaku plangprishës” në stanin enverist të Edi Ramës. A thua se ka mbetur akoma ndonjë nevojtore politike që i ashtuquajturi “avokat” nuk ka futur hundët për të marrë erë të qelbur. Si një klloun cirku, “çuni i bllokut” kërcen nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas për të gjetur një vend për të kënduar si gjeli maje plehut. Nga Berati në rolin e një paterice për Edi Ramën bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Tani “avokati” i diskredituar përpara opinionit si mjeshtër i prapaskeneve politike, maska e ish-të burgosurit politik nuk e mbron më. E majta në Shqipëri ndodhet sot në krizën e vet më të thellë. Por për fatkeqësinë e shqiptarëve kjo krizë interferon edhe në zbatimin e reformave të domosdoshme që kërkojnë institucionet ndërkombëtare. Qëndrimi arrogant i Edi Ramës duke dëmtuar seriozisht demokracinë në Shqipëri, ëndrrën e kahershme dhe shpresën e shqiptarëve për t’iu bashkuar familjes europiane përbën një tradhti të interesave kombëtare që gjatë do të mbahet mend në memorien e kombit. Ky aventurier duhet ndalur në orvatjen e tij të çmendur. Edhe njëherë tjetër populli dhe socialistët e Tiranës do t’i kthejnë kurrizin protestës së Edvinit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›