Rama çan anijen e PS, ajo fut ujë - të shpëtojë kush të mundet

Edvini e ka nxjerrë PS-në nga tregu i politikës si dhe nga konkurrenca për të fituar pjesë të pushtetit qendror apo vendor, duke u marrë veç me ojq-në e ylberistëve, të cilëve u ka premtuar se do synojë të mbajë bashkinë e Tiranës, jo me zgjedhje, por përmes shantazhit. Tek e majta ka nisur gara se cili do ta braktisë më herët organizatën që artikulon veç kushte antikombëtare, por që janë më të vjetra edhe se sjelljet e Haxhi Qamilit në 1914
Nxjerrja e Partisë Socialiste nga politika dhe rreshtimi i saj me organizatat që merren me një qëllim fiks, atë të kryetarit-pronar ka shënuar edhe çarjen përfundimtare të anijes socialiste. Ajo tashmë fut ujë, për shkak se kapiten Edvini s’ka asnjë interes të merret më me të. Olta Xhaçka, Saimir Tahiri apo ndonjë ikonë plakë si Arta Dade janë emblemat kryesore të organizatës së re joqeveritare që po drejton Edi Rama, prandaj edhe socialistët e thjeshtë që presin një perspektivë se kur do të kthehet PS-së në garë e në skenë, kur do të luftojë për ndonjë njësi bashkiake, për krijimin e ndonë krize qeveritare apo kur do të vërë në skenë ndonjë strategji për ndarjen e pushtetit me ndonjë forcë tjetër politike, duket se po e gjejnë veten në mes të furtunës. Anija politike tashmë është çarë, ajo po fut ujë dhe kapitenit të saj nuk i plas fare për perspektivën. Ai i mbytur se i mbytur është në krye të PS-së, prandaj po mendon për të shpëtuar atë kompartimentin e vet, atë botën që ai me sa duket i takon me të vërtetë, ylberistëve, 99-shave dhe disa pseudorevolucionarëve, të cilët janë mësuar që të gjitha gjërat t’i marrin vetëm me shantazh. Këtyre ylberistëve, Edvini u ka premtuar se e ka gjetur strategjinë me të cilët do të ruajë copën e pushtetit që ka ende, bashkinë e Tiranës. Me ëndrra revolucionare, me libra që tregojnë se si destabilizohet një shtet si dhe me negociata të pështira, Edvini u ka premtuar ylberistëve të vet, gjatë një dreke private në Pezë se do të sigurojë bashkinë e Tiranës, me emërim e pa zgjedhje, për shkak të shantazhit, protestave e aksioneve revolucionare.
Ëndrrat haxhiqamiliste merret vesh se s’mund të kenë asnjë perspektivë në shekullin XXI, aq më tepër kur bërthama që i mbështet ato është kaq e vogël e kaq e izoluar, por socialistët e thjeshtë nuk shqetësohen fort për të ndjekur Edvinët në shoë-t e tij me data: 10, 20, 30 apo muaj, në Tiranë, Shkodër, Berat e gjetkë, por për të mbijetuar politikisht e për të ruajtur përfaqësimin e tyre në njësitë e pushtetit, qendror a vendor qoftë ai. Por anijes socialiste tashmë i ka mësyrë uji kudo dhe gjithkush e ka kuptuar (merret vesh se Arta Dade nuk e ka ndjerë ende lagien) se duhet ikur para se të vijë përmbytja finale. 5 deputetët disidentë duket se po vonohen shumë për të thyer vendimin politik të bojkotit dhe ka rrezik që ndonjë nuhatës më i mirë ta ndërmarrë i pari “çarjen e gardhit” politik dhe atëhere edhe të marrë bonuset e duhura të aksionit. Sido që të jetë gara e braktisësve të anijes socialiste që ka nisur të fusë ujë, fakt është se tashmë të gjithë e kanë kuptuar se Edvinit as s’i plas fare për fatin e anijes socialiste, por veç për pazarin-shantazh që po mundohet të zbatojë më kot, të blerjes së bashkisë së Tiranës me heqjen dorë nga aksionet revolucionare destabilizuese të ojq-së së tij. Janë kushte paraprake që ngjajnë më anakronike edhe se artikulimet e Haxhi Qamilit në 1914 në kodrat e Shijakut. Merret vesh se ylberistët revolucionarë do të korrin një dështim edhe më të denjë se ai që morën antikombëtarët e fillimishekullit të shkuar.