E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej fytyrës së grisur

Sa herë që foshnjëria e demokracisë shfaq dobësi, vjetërsirat e diktaturës përforcojnë mbi to nostalgjinë. Qysh prej gati njëzet vitesh, këto përpjekje nuk pushojnë, ndërsa ata as nuk lodhen. Pëveç që ndjehen në detyrë, ata marrin guxim të thonë se koha kërkoka diktatorin! Vetë janë shndërruar në borgjezë të Shqipërisë, të tjerëve u ndërmendin se do të ishin më mirë në socializëm. Statistika nuk ka por, po t’i bëhej një hulumtim vendosmërisë për mbajten gjallë të nostalgjisë për diktaturën, ndoshta numri i shkrimeve nëpër disa gazeta të pavarura, i emisioneve në televizione me kahje të majtë dhe i librave nga autorë kundërshtarë të ndryshimeve, është më i madh se sa numri i artikujve, emisioneve dhe librave që i bëjnë diktaturës autopsinë. Kur del në qarkullim ndonjë libër si “Fytyra e djallit”, e autorit Grigor Banushi, në të cilin, fillim e fund koha ndalet, duke krijuar një copë jete socialiste, në fshatin Lumthatë, diku thellë ndër malet e veriut, thua: I lumtë, Grishës! Ky është një roman më shumë që i bën portretin diktaturës, është një libër më tepër kundër nostalgjisë për diktatorin.
Sipas kalendarit, bëhen gati 20 vjet që nga ndryshimi i sitemit. Kaq vite, në Perëndim, nuk duken më shumë se aq, sepse atje koha rrjedh si një lumë fushor, brenda një sistemi që e ka krijuar e forcuar shtratin e vet. Por, për Shqipërinë, që nga fundi i 1990-ës, nuk janë gati 20 vite, sepse kemi të bëjmë me lumin e rrëmbyeshëm të përmbysjeve të jashtëzakonshme, si të thuash nga mbrapsh në mbarë, sepse brenda dy dhjetvjeçarëve rrasen aq dendësi ngjarjesh sa, po të liheshin në rrjedhë të ngadaltë, mund të zinin plot vite, sa një shekull. Romani “Fytyra e djallit”, i botuar pak muaj më parë nga shkrimtari dhe gazetari Grigor Banushi, ka dy tipa lexuesish, të cilët, po t’i futim në emërues të përbashkët, i bie që njëri të jetë 50-vjeçar dhe tjetri 25-vjeçar. Çfarë shtjellohet në 363 faqet e librit, e sjellin pesëdhjetvjeçarin prapaktheu, e futin në botën që e ka vuajtur vet, por duke qenë se ajo kadavër ka mbetur pas, ai thotë pa habi: Po, edhe shpirti im ka qenë aty brenda! Fatbardhë që i shpëtova përndjekjes dhe tani e gjykoj! Kurse 25-vjeçari, një riosh i shkolluar, i bredhur e që nuk di vetëm shqip, kur i del romanit në fund, ndoshta i bëhet sikur ka lexuar një përrallë e thurur mbi absurdin. Ai, duke vrapuar për një punë me pagesë të lartë, të flejë pasmesnate e të zgjohet afër mesditës, të dëshirojë pushime plazheve të njohura, viktimat e komunizmit dhe shkaktarët e vuajtjeve të tyre, ka të ngjarë t’i ngjajnë si personazhe prehistorikë, dhe pikërisht nga kjo ka rrezik të mos i ndjejnë bëmat e të mos i shquajnë gjëmat e atëhershme, të shpërfillin sorollatjen mediatike të fantazmës së “Fytyrës së djallit” brenda shoqërisë së sotme, që vjen edhe nga keqpërdorimi i lirisë së shprehjes. Shqipëria ka pasur shumë Maks Vinjau e Diana, shpirtërat e të cilëve mbetet të takohen në botën e përtejme, apo Hektor Pano e Elsa, që thirrja e natyrshme e qënies për t’u bërë prind, e detyron t’i shkruanin xhaxhait, Dr. Petro Pano, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo e shpejtoi avitjen e së keqes kundër qytetarit me cen biografik. Ai vendoset përballë zgjedhjes së detyruar, të mbetet njeri a të shndërrohet në plehrë. Si në tregimet e shkurtëra të O’Henrit, që fraza e mbrame është sa gjithë rrëfimi: edhe në romanin e Grigor Banushit, saktësisht në faqen e fundit, zbërthehet titulli i librit, kur Hektorit të burgosur me një akuzë të sajuar,  “Djalli i shfaqej i bukur, i qeshur e cinik. I dilte në fotografinë e udhëheqësit, pikërisht në atë fotografi, të cilën e kishte grisur Rexhep Smajli dhe që ishte bërë shkaku i fatkeqësisë së tij”, vetëm sepse nuk pranoi të bënte dëshmitarin e një grisjeje të fotografisë së Udhëheqësit.
I gjithë romani është pasqyrë e njohjes së thellë, një krijues që edhe vet ka qenë pjesëtar i asaj jete të cilën më pas e ngriti në art. Ai është i pamëshirshëm, nga që nuk mbetet dyzash, ta thotë a të mos e atë që duhet thënë, por ndërthur në libër linja e ngjarje, funksionarë të rëndësishëm e pasues të zellshëm, përdor gjuhë të zhdërvjelltë, e cila edhe aty ku nuk i shpëton kurthit të gazetarisë, vjen e bukur, deri edhe me një ndërthgurje të lavdërueshme të të folmes e fjalorit gegnisht. Autori nuk është i mëshirshëm me sistemin, nga që diktatura qe çnjerëzore me shtetasit e vet, sepse e përndoqi, e futi në makinën e vet të grirjes, për ta nxjerr tjetër njeri. Kur mëson se autori ka jetur e punuar në një fshat të thellë atyre maleve, i ngjashëm me Lumthatin e romanit të tij, edhe ai vet të duket si një personazh.
Ndërsa fantazma e diktatorit sillet nëpër jetë tona, përmes dhënies frymë nga nostalgjikët, romani “Fytyra e djallit” i shkrimtarit Grigor Banushi, shkon kundër kësaj përpjekjeje, duke i bërë autopsinë diktaturës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›