E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit në Gjirokastër. Jepet pretenca

GJIROKASTER- Procesi gjyqësor ndaj përgjegjësve për tragjedinë e 9 nëntorit në Gjirokastër po shkon drejt fundit. Në seancën e sotme gjyqësore që u zhvillua në Gjykatën e Rrethit të Gjirokastrës, Prokuroria e rrethit tha pretencën për të pandehurit.

Masa më e lartë e dënimit është kërkuar për administratorin e firmës Arti Shpk, e cila po kryente punimet poshtë kodrës ku ndodhej pallati. Punimet shkaktuan shembjen e pallatit i cili i mori jetën 3 personave, mes tyre dhe një fëmije.

Prokurori i cështjes kërkoi 21 vjet burg për administratorin e “Arti shpk” Sotiraq Janorën mbi të cilën rëndon akuza e vrasjes dhe e shkatërrimit të pronës. Janora është i vetmi i pandehur që gjykohet në gjendje arresti me burg.

Për Afërdita Papamihalin, sekretaren e bashkisë së Gjirokastrës prokuroria kërkoi shpalljen fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e saj me 3.6 vjet burg.

Edhe për të pandehurit Admir Shehajn e Alfred Mamanin prokuroria kërkoi dënimin e tyre me 3.6 vjet burg, ndërsa i kërkoi gjykatës 3 vjet për inxhinierin e firmës Gjergji Mece.

Akuza kërkoi dënimin me 1 vit burg për Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin punonjës i policisë bashkiake.

Gjykata shtyu seancën për më 2 nëntor ku do të dëgjohet dhe fjala e fundit e palës mbrojtjëse dhe më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë një vendim përfundimtar mbi të pandehurit e tragjedisë së 9 nëntorit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›