Si dhe pse gazeta “55” u bë tribuna e ish-të përndjekurve politikë
Me rastin e përvjetorit të 12-të
Pas ngjarjes që i dha shkas zhvatjes së përdhunshme të pushtetit, përmes rebelimit komunist (1997), gazeta e ish-të përndjekurve politikë, e ndërroi kursin e aspiratave të të vuajturve nën diktaturë. Atëherë u krijua Instituti i Integrimit, që zëvëndësoi Komitetin e ish-të Përndjekurve, pranë Këshillit të Ministrave. Qé një “institucion” fasadë, për t’i bërë disa nga pushtetmarrësit e rinj të thoshin në diasporë: “Të përndjekurit janë me né!”. Askush nuk u besoi. Por propaganda ishte e një etaloni të veçantë.
Drejtuesit e gazetës „55“ hoqën dorë nga „Liria“ dhe iu drejtuan, bashkë me bashkëpunëtorët e gazetës, një gazete tjetër, që ishte krijuar në tetor të vitit 1997, me një testatë që ishte stigmatizimi i një embleme të dhunës komuniste: „55“. Dihet se me nenin 55 të kodit të procedurës penale, diktatura kishte tagrin të dënonte për agjitacion e propagandë, jo vetëm më të guximshmit, por edhe ata që dinin të mos binin në dërrasë të kalbur.
Une vetë u bëra gazetar i “55”-s, që në vitin 1998. Më kujtohet poeti i përndjekur, Ylber Merdani. Kishte ardhur nga Korça dhe më kërkoi për kafe. E kisha bashkëpunëtor, që kur isha kryeredaktor në “Liria”. – More tani s’kemi ku të shkruajmë, - më tha. – Si s’keni? Mund të shkruani sa të doni në gazetën “55”? Ma kishte dëgjuar emrin në këtë gazetë
-Dua të vij në redaksi, të takoj drejtorin tuaj. – më tha.
Drejtori e priti përzemërsisht dhe i tha se faqet e gazetës së tij i kishte edhe ai, Ylberi, në dispozicion. Thirri menjëherë një gazetare dhe i tha t’i merrte një intervistë poetit Ylber Merdani, që kishte vuajtur burgjeve dhe kampeve të diktaturës. Gilmana e pyeti nëse kishte ndonjë foto. Dhe shkrimi për poetin e, njëherësh, titullarin e Degës së Shoqatës së Korçës, Ylberin, zuri, nëse më kujtohet mirë, një dyfaqësh të gazetës. Anëtarët e Degës së Korçës ndoqën shembullin e Ylberit.
Numuri i ish-të përndjekurve politikë në faqet e kësaj gazete erdhi gjithmonë e në rritje. Po shënoj disa: Luan Myftiu, Engjëll Kokoshi, Gëzim Zilja, Uran Butka, Uran Kostreci, Ylber Merdani, Enver Lepenica, Bedri Myftari, Bujar Orizaj, Tanush Kaso, Bardhyl Vuçiterna, Mehmet Tepelena, Reshat Kripa, Uran Kalakulla, Agim Musta, Xhemal Alimehmeti, Teki Gjonzeneli. Gazeta u mor edhe me librat e mjaft të tjerëve: Niko Kirka, Sadik Bejko, Mëhill Gjinaj, Zogoll Mustafaraj, - duke përmendur vetëm diçka nga veprimtaria letrare dhe publicistike.
* * *
Po citoj një shkrim, që më duket i përshtatshëm për temën dhe si një urim i hershëm për këtë përvjetor që festuam dje: Më 24.04.2001, “55”-a botoi shkrimin e ish-të përndjekurit politik, S. Levi që, pas titullit, fillonte kështu: Drejtorit të “55“-s, z. F. Balliu, Si ish-i përndjekur politik, më vjen mirë t’u kujtoj bashkëvuajtësve, se kemi gjetur një rrugëdalje për të shtjelluar problematikën tonë të dhimbshme, duke pasur në dispozicion faqet e gazetës “55”. Ky organ, siç është shprehur kryeredaktorja e kësaj gazete të pavarur, s’ka për të qenë asnjëherë i mbyllur për aspiratat e të flijuarve nga dhuna e luftës së klasave të shtetit totalitar. Personalisht Ju shpreh mirënjohjen, z. drejtor, për mundësinë që të shprehemi publikisht, që na keni dhënë neve, anëtarëve të shtresës sonë, të djathtëve, nacionalistëve, analistëve të çështjes kombëtare, monarkistëve të revoltuar për mbajtjen endé padrejtësisht në burgun politik të Eqerem Spahiu.
Rubrikat e shumta të „55“-s, të trajtuara me dinjitet profesional e me argumente, pa propagandë vulgare, me horizont të hapur, duke pranuar edhe mendimin antagonist, janë një veçori e stafit të gazetës. E kam fjalën për mendimet komplekse të pronësisë, duke botuar tezat e z. Rrapo Danushi, si edhe ndonjë kundërmendim ndaj tyre. Kjo polemikë është konstruktive.Për çështjen e dëshpëruar të ish-të përndjekurve politikë janë botuar paanësisht konferencat për shtyp të kryetarit të saj dhe jam i bindur se do të botohen edhe „argumentet“ e tij, nëse ai do të ishte në gjendje t’i shpaloste ato, për kritikat e rënda që kanë të bëjnë me drejtimin njëherësh edhe të Shoqatës, edhe të Institutit të Integrimit. Në të vërtetë kjo është e paprecedent, gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit (Pastaj shkrimi vazhdon në trajtë polemike kundër Institutit të Integrimit, që vetëm integrim të përndjekurish nuk mund të bënte. Ishte një demagogji e kohës).
* * *
Në të vërtetë, shkrimet e kohëve të fundit janë krahasues. Vërtet mund dhe duhej të bëhej më shumë për këtë shtresë të vuajturish. Por një gjë duhet pasur parasysh. Se PS-ja nuk ka asnjë dëshirë që të bëjë qoftë edhe një minimum përçapjeje për integrimin e kësaj shtrese. Madje titullarët e saj nuk shprehen hapur, se shpresojnë në ndonjë vargan abstenuesish; por votat për ata që kanë në radhët e tyre mëkatarët e pandëshkuar të diktaturës, as që mund t’i marrin me mend demagogët e E. Ramës. Nga ana tjetër, shtëpitë që kanë marrë në ndërtesat e Kafodit, janë të kohës së PD-së. Po të asaj kohe janë edhe të drejtat e studimit në shkollat e larta, me lehtësim në pikësimet. Në atë kohë u caktua një përqindëshi në dobi të veprimtarisë së të përndjekurve. Pas nëntëdhjeteshtatës, puna që po merrte për mbarë, u ndërpré. Dr. Berisha u shpreh me sinqeritet edhe për disa gabime ndaj kësaj shtrese. Por, e përsërisim: Asnjë iluzion nga qeverisjet e mundshme të PS-së.
*
Duke cituar disa nga shkrimet e hershme të ish-të përndjekurve në gazetën tonë, vërejmë se përmendet Edvini, vite më parë:
22.09.2000. Edi Rama, si një incognito që deshi të bëhej i njohur në politikë me parulla ekstremiste „antikomuniste“, duke u hallakatur si emigrant nëpër Europë për të kërkuar identitetin e vetvetes në situata të reja, u përthith, së fundi, nga një magnet, për të qenë shumë i leverdisshem për PS-në, me ekstravagancat dhe me mitomaninë e tij. Magneti ishte numri një i PS-së. Edi Rama u bë ministër i Kulturës, duke e shkatërruar kulturën dhe duke e quajtur të suksesshëm këtë rrënim kombëtar. Ç’vetì karakteristike preferoi ftuesi tek E. Rama? Demagogjinë, fjalët pikante për ta paraqitur të zezën të bardhë; dështimin si sukses? (…).Edi pretendon se PS-ja është forca e vërtetë antikomuniste në vend(!). (Po aq, sa është edhe Edi i tillë!). [Shënim: kllapa e artikullit].
Në këtë artikullin tjetër të cituar, i kemi dhënë të drejtën vetes të përdorim inicialet, për shkak se shkrimi është polemik.
7.05.2000: “Për krimet e E. Hoxhës, M. Shehut, etj. „55“-a ka shkruar aq shumë sa, po t’u jepet e drejta t’i ribotoni, do të kishit material për një vit! Do të mjaftonin t’ju tregonim vetëm titujt. K. K. thoni se ka bërtitur „Poshtë komunizmi“! (urrà!). Kështu ka bërtitur edhe Edi Rama para mijëra e mijëra antikomunistësh (në manifestimet antikomuniste të dhjetoristëve). Tani hap ekspozita për E. Hoxhën dhe “realizmin socialist”. Edin e quani „artist moderator“; por artistët vetë këtë aventurier kozmopolit e quajnë feudal, në kuptimin përkeqësues të fjalës”.
Një shkrim tjetër mbante datën e fillimit të muajit: 1.05.2000: “Gazetari I.V. i gazetës „Liria“ fjalën inkriminim e përdor vetëm për sharje, duke mos ditur se është inkriminuar edhe Nënë Tereza nga një antishqiptare e pacipë, me të cilën miqtë e K.K., socialistët, kanë marrëdhënie miqësore. Kjo e paskrupullt e ka emrin Miranda Vickers dhe ka shkruar se Nënë Tereza paska përvetësuar shumat për një spital! Ajo, e cila rrinte në mes të lebrozëve”!
* * *
24.03.1999: Engjëll Kokoshi, Ish-Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve politikë: “Por cili është K. K.? Nga mesi i vitit 1992, i ndodhur në Greqi para dy vitesh, i kërkoi një bashkëvuajtësi, funksionar i lartë i PD-së dhe me detyra të rëndësishme në pushtet, që ta ndihmonte për strehim dhe punë për vete dhe djemtë e tij. Falë këtij personi, K-t iu plotësua dëshira. Këtë mirësi K. ia shpërbleu bamirësit, duke e akuzuar si spiun!” “Në Kuvendin e Dytë të Shoqatës Kombëtare, K. bëri këtë betim solemn, tashmë në ofiqin e kryetarit: „Në rast se deri në dhjetorin e 1993-shit nuk do të kem përmbushur detyrën që më ngarkon ky Kuvend, unë do të jap dorëheqjen“. Këtë dorëheqje, që i ishte kërkuar disa herë dhe, sidomos, nga Kryetari i Kryesisë së Këshillit Kombëtar, zoti Luan Myftiu, K. jo vetëm që e refuzoi, por ky qëndrim i papërgjegjshëm i tij e detyroi zotin Luan Myftiu të japë dorëheqjen, në shenjë proteste. Për fat të keq, postin e Kryetarit K. e përdori si mjet arbitraritetesh e abuzimi. Kjo vazhdon edhe sot, në ritme të shfrenuara”.
Ky shkrim i Engjëll Kokoshit është simptomatik për ata që bëjnë bé e rrufé për dhënie dorëheqjeje, sa për formë! Në të vërtetë është tallje! Aktualiteti i këtij shkrimi është i vetëkuptueshëm!
Meqë u përmend emri i bashkëpunëtorit tonë të vlefshëm, zotit Luan Myftiu, me rastin e sëmundjes së tij të tanishme, i urojmë shërim të shpejtë.