E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gazeta 55” të publikohet edhe në Kosovë

Një urim nga Kosova për të përditshmen “Gazeta 55”

Botuesi Fahri Balliu meriton Medalje për punën e tij të palodhshme dhe guximin e tij intelektual, për informimin e saktë dhe të drejtë të shqiptarëve. Kryeredaktori i gazetës Ilir Nikolla me shkrimet e tij është mik i të gjithë shqiptarëve këtu në Kosovë. “Gazeta 55” është shndërruar në një “Shkollë të gazetarisë moderne”

Gazeta e përditshme "Gazeta 55" filloi të publikohet para 12 vjetësh në Tiranë. Ajo sot përmes faqes së saj të internetit ka shembur kufijtë administrativ shqiptaro – shqiptar dhe është shumë e lexuar në Kosovë. Mijëra klikues nga Kosova të www.gazeta55.net e lexojnë rregullisht këtë të përditshme, të pavarur dhe neutrale, e cila ka një koncept serioz gazetaresk, një e përditshme e intelektualëve. Deri më tani me seriozitetin e saj të mundshëm, gazeta ka dhënë kontributin shumë të çmuar informativ, duke ofruar informata të sakta ndër të tjera edhe për gjendjen në Kosovë, duke përhapur gjithnjë frymën patriotike gjithandej ku ka shqiptarë. Në të asnjëherë nuk kanë munguar intervistat e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, shkrimet për aktualitetin në Kosovë, prezantimi i politikës së ndjekur nga presidenti vizionar dr. Fatmir Sejdiu dhe hollësira për të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe pse kjo gazetë ende nuk publikohet në Kosovë, përmes faqes së saj elektronike në internet po informon dhe mbështet të gjitha institucionet e Kosovës, miqtë ndërkombëtarë, EULEX-in, KFOR-in dhe diplomacitë e instaluara në Kosovë. Kjo është një faqe e gazetës nga e cila informohen edhe shqiptarët në emigracion, në Evropë e Amerikë.                             Të nderuar botues dhe stafi i redaksisë së “Gazetës 55” në Tiranë, tashmë kur kufiri administrativ shqiptaro- shqiptarë është shembur, kur lideri i gjithë shqiptarëve kryeministri dr. Sali Berisha po i shuan të gjitha dallimet ndërshqiptare Shqipëri- Kosovë, ju kërkojmë më shumë insistim që sa më parë “Gazetën 55” ta publikoni jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, si gazetë gjithëkombëtare e të gjithë shqiptarëve.
Dhe kjo për faktin se në stafin tuaj të redaksisë keni të angazhuar publicistë të famshëm, që po na informojnë saktë dhe po ndikojnë në krijimin e opinionit shqiptar për aktualitetin gjithëshqiptarë.
Botuesi i “Gazeta 55”, Fahri Balliu, i cili është shumë i njohur dhe i respektuar në Kosovë, përmes shkrimeve dhe publikimeve të disa librave, meriton Medalje për punën e tij të palodhshme dhe guximin e tij intelektual, për informimin e saktë dhe të drejtë të shqiptarëve. Kryeredaktori i gazetës Ilir Nikolla me shkrimet e tij është mik i të gjithë shqiptarëve këtu në Kosovë. Ky me angazhimet dhe shkrimet e vazhdueshme ka reflektuar pa masë këtu në Kosovë. Lexuesit në Prishtinë u janë shumë mirënjohës gazetarëve profesionistë dhe opinionbërësve të kësaj gazete, e cila është shndërruar në një “Shkollë të gazetarisë moderne”.
Intelektualët e Kosovës, akademikët, profesorët, politikanët, studentët, si dhe
diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë, përmes internetit e lexojnë për çdo ditë dhe shohin se “Gazeta 55” është duke ndihmuar në përhapjen e demokracisë në trojet shqiptare. Dhe për këtë, nga Kosova vjen urimi: Urime ditëlindja “Gazeta 55”!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›