Aviacioni Civil: Aeroporti i Kukësit nuk ka leje operimi
Mungesa e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve në inaugurimin e aeroportit të Kukësit me emrin e ri për nder të sheikut arab nuk ka qenë ndoshta e rastësishme. Të pyetur nga gazeta “Shqip”, burime zyrtare nga Drejtoria e Aviacionit Civil, në varësi të MPPT, nuk ishin në dijeni të inaugurimit dhe aq më tepër të kishin informacion rreth qëllimit të ceremonisë. “Nuk ka asnjë zhvillim të ri rreth negociatave me koncesionarin gjerman lidhur me lejen e operimit të aeroportit të Kukësit. Në këtë pikë nuk ka ndryshime të marrëveshjes nëse aeroporti do të funksionojë për pasagjerët apo për mallrat”, sqaruan burimet. Aeroporti i Kukësit po mbahet peng për shkak të marrëveshjes së firmosur në vitin 2005, kur qeveria socialiste ia dha të drejtën koncesionarit që të operonte i vetëm me linjën ndërkombëtare “Nënë Tereza” për të paktën 25 vjet. Linja e Kukësit, tashmë me emër të ri, “Sheik Zayed Bin Sultan Al Nahyan”, mund të vihet në funksion nëse e kërkojnë gjermanët për interesat e tyre, por nga deklaratat e mëparshme ata nuk kanë treguar interes për ta menaxhuar. E vetmja shpresë për qeverinë shqiptare është që ta vërë aeroportin e Kukësit në funksion për qëllime transporti mallrash, në interes të Kosovës dhe vendeve përreth.
#