E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ka hapësirë për zgjidhje

Daul takohet me kreun e shtetit: Të respektohet Kushtetuta

Presidenti Topi deklaroi dje se mes mazhorancës dhe opozitës ekzistonin të gjitha mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje për krizën politike përmes rifillimit të dialogut. Këtë deklaratë Presidenti e bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje me Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Joseph Daul. “Me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve”, deklaroi Topi në fjalën e tij, duke shtuar se ai besonte që Shqipëria do të lëvizte me shpejtësi drejt Bashkimit Europian.

Nga ana e tij, Daul theksoi faktin se palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Po kështu, drejtuesi i lartë i PPE-ve theksoi se procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye. “Shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes europiane”, deklaroi Daul. Takimi i tij me Presidentin Topi ishte edhe i takimi i fundit zyrtar që ai zhvilloi gjatë vizitës dyditore në vendin tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›