E Diel, 1 Nëntor 2026

Aviacioni: Njoftuam BE-në. Skandal si u braktisën pasagjerët

TIRANE-Nuk ka ndodhur asnjëherë që të braktisen, me plot kuptimin e fjalës, udhëtarë të transportit civil ajror nga kapiteni i një avioni, madje në një destinacion krejt tjetër nga ai për të cilin ata kishin prerë biletat”. Ka deklaruar kështu dje, në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Aviacionit Civil të RSH, Ervin Mazniku. Ai ka siguruar se DPAC-ja do t’i shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë. Per kete DPAC do të njoftojë për këtë incident organet kompetente të Komunitetit Evropian, përgjegjëse për sigurinë në fluturim. Pikë së pari Mazniku u ka shprehur keqardhjen pasagjerëve të linjës Tiranë-Bolonja, të kompanisë “Albanian Airlines” për incidentin e rëndë. Duke vënë në dukje se, “ajo që ka ndodhur me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë ‘Air Slovakia’, të kontraktuar nga ana e kompanisë ‘Albanian Airlines’, është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atij ndërkombëtar. “Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do t’i shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë dhe do të përdorë fuqinë që i jep ligji për garantimin e të drejtave të pasagjerëve edhe në të ardhmen”, - shtoi ai. Kronologjia Mazniku ka siguruar se ka gjithçka ka ndodhur pasi avioni ka kaluar hapësirën ajrore shqiptare. “Në komunikimin e kapitenit të avionit me kullën e kontrollit, që është në vartësi të ANTA-s, nuk ka pasur asnjë gjë që të linte të kuptoje për anomali për sa i përket aftësisë teknike të mjetit për të fluturuar”, - thekson ai. Nga ana e tij, drejtori i Agjencisë Nacionale të Transportit Ajror me seli në Rinas, Petrit Sulaj, gjithashtu konfirmon për Gazetën se asgjë nuk ka lënë të dyshohej për probleme teknike në fluturim. Por, duke pohuar, ashtu si edhe drejtori Mazniku, se ka pasur një vonesë prej më se një ore në ngritjen e avionit pasi pasagjerët kishin hipur në të. “Kjo është diçka e zakonshme dhe nuk krijon dyshime”, - vuri ai në dukje. Juridiksioni Sipas Maznikut, gjithçka kalon tej kompetencave ligjore të autoriteteve shtetërore shqiptare, pasi është mbyllur porta e një avioni që është regjistruar në një shtet të huaj. Të gjitha problemet që mund të lindin pas kësaj janë nën juridiksionin e shtetit sllovak, qofshin ato të karakterit civil, ashtu edhe të karakterit penal. Për këtë, Drejtoria e Aviacionit Civil të RSH refuzon të japë versionin e saj të ngjarjeve, për sa kohë që nuk është shprehur ende autoriteti përkatës i Sllovakisë për ngjarjen. “Për t’ju përgjigjur sa më shpejt situatës, u angazhuan strukturat përkatëse institucionale shtetërore: Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; Ministria e Jashtme; Agjencia Kombëtare e Trafikut Ajror; Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke; Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, si dhe Ambasada e Republikës Sllovake në Shqipëri”, -deklaroi më pas drejtori Mazniku në një konferencë për shtyp, në selinë e Ministrisë së Transporteve. Si DPAC, kemi vendosur kontakte që natën e kaluar, me Drejtorinë e Aviacionit Civil Sllovak dhe në bazë të procedurës standarde të aviacionit civil ndërkombëtar, Bordi Sllovak i Mbikëqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e tij, si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga “Air Slovakia”, - vuri ai në dukje.  Braktisja Edhe pse tani pasagjeret ndodhen ne Bolonja pasi kaluan nje nate ne Bratislave per arsye edne te pqarta, duket se autoritetet shqiptare, nga njëra anë janë të justifikuara për ngjarjen, e cila ka ndodhur jashtë territorit të saj. Por, nga ana tjetër ngjarja është e rëndë, madje fyese. “Çdo vektor ka një aeroport-rezervë”, - thotë Mazniku për ‘GSH’. Në rastin e këtij avioni, ishte përcaktuar dhe miratuar Venecia për çdo emergjencë. Por, kapiteni i avionit, që mban përgjegjësi për jetën e pasagjerëve, ka zgjedhur të kthehet drejt Lindjes, në një rrugë shumë të gjatë, veprim mbi të cilin mund të hedhë dritë vetëm hetimi shumëpalësh. Ende janë të paqarta arsyet që detyruan dy pilotët çekë të avionit të “Albanian Airlines” të zbrisnin avionin në Sllovaki dhe jo në Bolonja, siç ishte planifikuar. Me këtë avion udhëtonin 110 pasagjerë shqiptarë, që papritur e gjetën veten në Bratislavë, në temperatura shumë të ulëta dhe pa asnjë sqarim për atë që po ndodhte me fluturimin e tyre. Alarmi u dha menjëherë në redaksinë e “Gazeta Shqiptare” dhe “News 24”, që e ndoqën ngjarjen moment pas momenti, duke sjellë dëshmitë e pasagjerëve që e kaluan natën në Bratislavë si dhe reagimet e Ministrisë së Jashtme shqiptare, që angazhoi përfaqësuesit e saj të merreshin me incidentin. Odiseja e pasagjerëve mori fund vetëm ditën e djeshme, pasi ata mbërritën në destinacionin e tyre, Bolonja, ndërsa autoritetet sllovake dhe ato shqiptare po hetojnë lidhur me shkaqet e incidentit. (d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›