Itali, kapet shqiptari që kërkohej për vrasje

Kishte arritur të siguronte dokumente false dhe madje kishte ndryshuar edhe imazh, duke prerë flokët dhe duke u shëndoshur rreth 30 kg. Por identiteti i ri nuk i mjaftoi për të shmangur burgun një vrasësi me kombësi shqiptare, i cili në nëntorin e vitit 2006 në Firencë, bashke me dy emigrantë të tjerë, kishte vrarë një bashkatdhetar që u detyrohej atyre para.
Sot është 27 vjeç dhe karabinierët zbuluan se burri, që ishte dënuar në mungesë me plot 20 vjet burg, në jetën e tij të dytë ishte korrier për llogari të një firme shpërndarjesh në Empoli. Ndërsa në kohën e vrasjes ishte murator, ashtu si Besnik Gjataj, 38 vjeç, të cilit i preu fytin për shkak se i kishte një borxh prej 530 eurosh.
Pas vrasjes, sipas karabinierëve, 23-vjeçari i atëhershëm ishte arratisur jashtë Italisë, ku kishte gjetur dokumenta të reja, por në një distancë prej katër vjetësh, hetuesit kishin nuhatur se vrasësi gjendej sërish në zonë. Madje mësohet se për ta futur në kurth, policët i janë afruar, duke e thirrur me emrin e tij të vërtetë, Mariglen.