Shkupi zgjedh 2 shqiptarë për enciklopedinë e re
SHKUP-Shkupi korrigjon ga bimin me enciklopedinë që fyente shqiptarët dhe i përshkruante ata si ardhacakë në Maqedoni. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), gjatë kësaj jave do të bëjë përzgjedhjen e redaksisë për hartimin e "Enciklopedisë", së re dhe në këtë redaksi do të përfshihen edhe dy studiues shqiptarë. Media maqedonase njoftoi dje se dy shqiptarët në kuadër të saj pritet të jenë rektori aktual i Universitetit të Europës Juglindore, Alajdin Abazi dhe akademiku Ali Aliu. "Gjatë kësaj jave do të emërohet zyrtarisht redaksia e re. Planifikohet një përfaqësim dinjitoz i shkencëtarëve shqiptarë në të. Jemi vonuar deri më tani për shkak se e kemi ndryshuar rregulloren, e cila mundëson që në kuadër të redaksisë të kyçen edhe anëtarë të jashtëm ose profesorë universitarë", - ka deklaruar Alajdin Abazi, rektor i UEJL në Tetovë dhe anëtar i rregullt i ASHAM, për agjencinë e lajmeve 'INA'. Këshilli i ri redaktues do të përbëhet nga nëntë anëtarë, dy prej të cilëve do të jenë shkencëtarë shqiptarë. Rektori Abazi, si anëtar i përhershëm i Akademisë, nuk e përjashton mundësinë që të jetë njëri prej tyre. Ndërkohë, anëtar tjetër i redaksisë pritet të zgjidhet akademiku Ali Aliu, i cili edhe pse është anëtar i jashtëm i ASHAM, mund të zgjidhet anëtar i redaksisë së re pas ndryshimit të rregullores. Ndryshe, si pjesë e redaksisë së re është paraparë të jenë pesë anëtarë të brendshëm dhe katër të jashtëm. Pesë njësitë e ASHAM do të propozojnë kandidatët, dhe nuk përjashtohet mundësia që në mesin e tyre të jetë edhe akademiku Aliu. Pavarësisht kësaj, në mesin e propozimeve të fundit të këshillit të ASHAM është edhe kërkesa për formimin e Qendrës Albanologjike, me qëllim të kultivimit të vlerave dhe aspekteve shkencore, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve.(GSH/BalkanWeb)