E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aviacioni civil në qendër të diskutimeve nga PABSEC

22/04/2010 Takimi në Durrës

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u mbajt në Durrës mbledhja e 35-të e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Politike të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik në Detin e Zi (PABSEC). Mbledhja kishte në fokus kuadrin ligjor për rregullimin e aviacionit civil në shtetet anëtare të nismës së bashkëpunimit të Detit të Zi. Sesioni i punimeve u hap nga nënkryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Politike të PABSEC, Serhiy Podhorny, i cili ndër të tjera vlerësoi organizimin e këtij evenimenti nga Parlamenti dhe institucionet e Shqipërisë. Ndërsa nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Adrian Turku, tha se roli i Asamblesë parlamentare në bashkëpunimin ekonomik të vendeve të Detit të Zi është i një rëndësie parësore në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve. Një panoramë të plotë të progresit në aviacionin civil në Shqipëri, paraqiti ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Ai tha se në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, vetëm gjatë 2009-ës u shënua një rritje prej 9 % në transportin ajror. Në përfundim, anëtarët e delegacionit hartuan një dokument me konkluzionet e takimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›