E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i servisit dhe hajdutët, miliona me çmontimin e makinave

22/04/2010 Mbyllen hetimet për tre autorët. Mes tyre edhe një pronar servisi në Tiranë

TIRANE- Tre persona midis të cilëve edhe një pronar servisi që ndodhet në rrugën “Jordan Misja”, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës, pasi ata kanë grabitur dhjetëra makina dhe më pas i kanë çmontuar duke i shitur pjesë-pjesë. Vlera financiare e mjetit të grabitur arrinte në 3 deri 4 milionë lekë, duke i shitur në servisin e të pandehurit Adnand Berami. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat pak ditë më parë kanë përfunduar hetimet dhe dosjen në ngarkim të tre të pandehurve Erjon Qelibari, Adnand Berami dhe Lulzim Ajazit, e kanë dërguar për shqyrtim gjyqësor. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori i çështjes, tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer grabitjen e dhjetërave automjeteve, kryesisht të tipit Benz dhe më pas këto mjete fshiheshin në servisin e të pandehurit Berami. Gjithçka kryhej në fshehtësi të plotë, ku mjeti çmontohej dhe më pas pjesët e këmbimit si: Motori, kabina apo diçka tjetër shitej. Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se kanë mjaftuar disa kallëzime penale të qytetarëve që policia dhe Prokuroria e Tiranës, të bien në gjurmët e këtij grupi kriminal. Si prova materiale, organi i akuzës ka siguruar disa përgjime si dhe filmime në terren, por edhe janë sekuestruar tre automjete të grabitura në servisin e Adnand Beramit që ndodhet në rrugën “Jordan Misja”. Ndaj tre të pandehurve aktualisht janë ngritur akuzat: “Sigurim i mjeteve për vjedhje”, “përvetësim parave ose sendeve të vjedhura”, “vjedhje pasurisë” dhe “moskallëzim krimi”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›