E Diel, 1 Nëntor 2026

Avionët izraelit bombardojnë Ministrinë e Brendshme të Hamasit

Gaza -Avionët izraelit kanë bombarduar sot Ministrinë e Brendshme të Hamasit në Rripin e Gazës. Ky është sulmi i parë i Izraelit që kishte shënjestër një ndërtesë të zyrave qeveritare, deklaroi fraksioni militant palestinez. Gjatë natës së djeshme aviacioni izraelit lëshoi dhjetra raketa në Rripin e Gazës duke vrarë shtatë palestinezë, gjashtë prej të cilëve fëmijë, sipas burimeve spitalore. Një zëdhënës i ushtrisë konfirmoi se aviacioni izraelit lëshoi dhjetëra raketa gjatë natës së djeshme, pa dhënë detaje të tjera.

Katër vajza të moshës nga 1-12 vjeç nga e njëjta familje humbën jetën nga një sulm ajror në Jabalia, në veri të Rripit të Gazës. Ato jetonin pranë një xhamie që ishte vënë nën shënjestrën e sulmeve ajrore. Dy fëmijë të tjerë humbën jetën nga një sulm ajror në Rafah, në jug të Rripit të Gazës dhe i shtati që u vra ishte një aktivist nga Hamasi. Sulmet janë përqendruar në qytetin e Gazës ku ndërtesa e Ministrisë së Brendshme të Hamasit është shkatërruar plotësisht, bëri të ditur një korrespondent.

Një avion bombardoi Universitetin Islamik në Gaza, që ishte plot me nxënës pasi konsiderohej si një bastion i lëvizjes islamike të Hamasit pa shkaktuar viktima, deklaruan dëshmitarët. Izraeli ndërmori të shtunën një operacion kundër Hamasit, në Rripin e Gazës ku si pasojë humbën jetën të paktën 310 persona dhe 1 420 të tjerë u plagosën sipas burimeve spitalore në Gaza.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›