E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avioni, hetuesit identifikuan 2 terroristë mes pasagjerëve

 

Ndërkohë që dje ka mbërritur nëndetësja franceze që do të kërkojë në 6 mijë metra thellësi për kutitë e zeza të avionit të rënë mbi Atlantik, hetuesit kanë nisur të përqendrohen mbi variantin e një sulmi terrorist. Policia braziliane po vëzhgon videot e sigurimit gjatë imbarkimit të pasagjerëve në bord për të gjetur elementë të dyshuar. Mediat franceze, për më tepër, duke cituar burime të shërbimeve sekrete në Paris, kanë sinjalizuar se në avion janë ngjitur edhe dy persona të dyshimtë me eksponentë të lidhur me terrorizmin. Duke kërkuar me kujdes të dhëna mbi listën e pasagjerëve të fluturimit 447 në Paris, ekspertët francezë kanë identifikuar dy emra në listë që shfaqen në dokumente shumë sekrete si radikalë islamikë të konsideruar kërcënim për Francën. Sipas burimeve anti-terror në Francë, gjatë muajve të fundit Parisi kishte marrë disa kërcënime që kishin të bënin me një sulm të madh kundër një qyteti francez, si ato të sulmeve me avion të 11 shtatorit në Nju Jork si ndëshkim për vendimin e presidentit Nikolas Sarkozi mbi dërgimin e trupave në Afganistan. Nëse dy pasagjerët do të kishin lidhje me këto kërcënime, kjo do të thotë se avioni do të përplasej mbi Paris. Një variant tjetër është se dy terroristët mund të kenë kryer një sulm vetëvrasës brenda avionit, që ka sjellë edhe shpërthimin e tij dhe rënien mbi oqean. Kështu hipoteza e një atentati nuk është hedhur poshtë. Ndërsa në qendër të zgjidhjes së misterit mbetet ende problemi i sensorëve të shpejtësisë. Shtatë anije ushtarake braziliane dhe franceze po kërkojnë në distancën 700 kilometra nga ishulli brazilian “Fernando de Noronha”, ku janë gjetur deri tani 41 trupa dhe pjesë të ndryshme nga avioni. Ndërkohë në ishujt Kanarie një tjetër avion i tipit “Airbus” ka marrë flakë. Airbus A320 me 180 pasagjerë norvegjezë në bord ka kryer ulje emergjence në ishullin spanjoll, pasi një nga motorët e tij kishte marrë flakë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›