Sot provimi i Matematikës, testi sipas nivelit të nxënësve
ZIRINA LLAMBRO
Nxënësit e nëntës dhe të dhjetës do të jenë ata që do kenë më shumë vështirësi në provimin e matematikës. Ministria e Arsimit ka vendosur që dy ushtrime speciale në test të jenë vetëm për këtë grup maturantësh. Kush ia del të japë përgjigjet e sakta, do të vlerësohet me notat maksimale. Provimit të dytë të detyrueshëm i nënshtrohen sot rreth 40 mijë gjimnazistë. Ngujimi i hartuesve të testit në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve është drejt fundit. Dy mësues të caktuar nga ministria kanë ekskluzivitetin e përzgjedhjes së tezave finale. Edhe në këtë provim testi ka 25 pyetje. Prej tyre, 13 me alternativa dhe të tjerat me zgjidhje të detajuar. Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e AVA-s, do të jenë 7 variante testesh që do të shpërndahen në të gjitha rrethet. Ndërkaq është parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit do të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të tij është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën e vendosur për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal). Me mbylljen e këtij testi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në shkollat e larta vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore. Pra në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje. Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin prej testeve të detyruara, rezultati i tij konsiderohet i vlefshëm edhe në vitin në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Sot pasdite Ministria e Arsimit pritet të publikojë edhe çelësin e përgjigjeve të sakta. Me anë të tij maturantët do të mund të bëjnë llogaritë paraprake për pikët që kanë marrë. Për t’u vlerësuar me notën dhjetë duhen grumbulluar 50 pikë. Specialistët e AVA-s përpara se të nisin korrigjimin do të vendosin edhe pragun e pikëve me të cilat nxënësi do të marrë notë kaluese. Zyrtarisht notat do të afishohen në shkolla pas më shumë se 10 ditësh. Tashmë prova e fundit për të gjithë ata kandidatë që duan të nisin një shkollë të lartë ngelen provimet me zgjedhje. Të gjithë nxënësit do t’i japin në datën 10 korrik. Sakaq vetëm pas dy javësh pritet të publikohet edhe formulari A2, me anë të së cilit do të zgjidhen 10 preferencat për të vijuar shkollën e lartë. Faza e fundit mbetet ajo e llogaritjes së pikëve nga Ministria e Arsimit dhe shpallja e fituesve. Çdo kandidat, nëse merr pikët e mjaftueshme, do të mund të nisë shkollën e lartë vetëm në një degë.
Rivlerësimi
Për herë të parë këtë vit maturantët kanë shansin e rivlerësimit të provimit. Në rast se, pas marrjes së rezultateve ata konstatojnë se u është ngrenë haku, kanë të drejtë të ankohen. Kundrejt një tarife prej 1600 lekësh, do të tërheqin testin dhe do të depozitojnë ankesën pranë komisionit përkatës të maturës shtetërore.
Penalizimet
Maturantët nuk do te lejohen për asnjë çast qe te komunikojnë me njeri-tjetrin, dhe as të kthejnë kokën mbrapa. Nëse do te thyejnë ndonjërin prej këtyre rregullave, atëherë përjashtohen automatikisht nga provimi. Nëse ndonjëri prej maturanteve nuk ndihet mire dhe dëshiron te dale jashtë për disa momente, nuk do të pranohet me në ambientet e provimit. Të gjithë maturantet do te këqyren nga administratoret, te cilët do të kujdesen qe të mos lejojnë asnjë shkelje të rregullave.