E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, opozita bën pakt: Zgjedhjet në fund të tetorit

 

Opozita kosovare ka vendosur për presidentin Sejdiu, si afat për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, gjysmën e dytë të tetorit. Gjashtë partitë më të mëdha të opozitës konstatuan se Presidenti Sejdiu po e zvarrit caktimin e datës së zgjedhjeve. AKR, LDD, AAK, ORA, PD dhe PSD nënshkruan një marrëveshje, ku kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve në gjysmën e dytë të tetorit, pasi ata mendojnë se në këtë kohë do të ketë numër më të madh të votuesve. “Shpallim këtë marrëveshje; AKR, LDD, AAK, ORA, PD dhe PSD propozojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, gjë që është plotësisht në përputhje me ligjin për zgjedhjet lokale”, thuhet në tekstin e marrëveshjes. Opozita ka propozuar se për shkak të motit të mirë në tetor, fushatat elektorale do të mund të mbahen edhe në ambient të hapur, gjë që krijon shpenzime më të vogla. Ndërkohë nga presidenca e Kosovës është premtuar se data e zgjedhjeve do të deklarohet zyrtarisht brenda kësaj jave. Zëdhënësi i Presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, tha se Presidenti Fatmir Sejdiu do ta caktojë datën e zgjedhjeve pas një raundi të ri konsultimesh me partitë politike dhe me KQZ-në. Ndërkohë burime për mediat vendase flasin për mbajtjen e zgjedhjeve në gjysmën e parë të nëntorit, si periudha e parapëlqyer nga koalicioni në pushtet. Qeveria e Kosovës ka ftuar OSBE-në në ndihmë për të punuar së bashku në organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale. Kështu tha dje zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. “Në veçanti diskutuam edhe për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale këtë vit. Qeveria e Kosovës fton OSBE-në që të punojmë bashkërisht, që të jemi në bashkëpunim të plotë dhe të kemi një ndihmë në organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale në këtë vit”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi. Ai shprehu bindjen se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›