Një pllakatë bronzi në nder të Laura Bush-it
Një pllakate e bronztë në nderim të ish zonjës së parë të SHBA, Laura Bush. Në këtë mënyrë është përkujtuar vizita e saj historike, e dy viteve më parë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Në pllakën e bronztë, të vendosur në mjediset e spitalit, përkrah gdhendjes së zonjës së parë me një foshnje në dorë, është shënuar një shprehje e Laura Bush, e thënë gjatë vizitës në Shqipëri. “Unë e admiroj punën e shkëlqyer të spitalit ‘Mbretëresha Geraldinë’”, thuhet në të. Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë event, ku ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, drejtuesit e spitalit shprehën edhe njëherë mirënjohjen e tyre. “Zonja Bush vlerësoi si të shkëlqyer punën e spitalit. Le të jetë ky një motiv dhe objektiv për arritjen e kushteve më të mira”, u shpreh Drejtori i Maternitetit, Halim Kosova. Ndërkohë, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, Biks Aliu, ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi me institucionet shqiptare, e në veçanti me këtë maternitet, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi tashmë ky institucion ka plotësuar standardet e një spitali evropian. “Stafi i këtij spitali ka bërë një punë mjaft të mirë, duke e bërë këtë spital të krahasueshëm me spitalet evropiane”, tha Aliu. Më 10 qershor të 2007, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Ë. Bush dhe zonja e tij Laura, vizituan Shqipërinë. Gjatë vizitës së tyre njëditore, zonja e parë Laura Bush vizitoi mjediset e spitalit “Mbretëresha Geraldinë”.