Avioni nga Tirana devijon destinacionin përfundon në Sllovaki
TIRANE- 110 pasagjerë të nisur nga Tirana për në Itali me avionin e Albania Airlines kanë përfunduar në Bratislavë të Sllovakisë. Skandali është bërë i ditur nga familjarët e pasagjerëve të cilët të shqetësuar kanë denoncuar në Gazetën Shqiptare. Sipas informacioneve të dhëna nga vetë pasagjerët mësohet se shkak i këtij devijimi është bërë mungesa e pagave për pilotët cekë, të cilët sipas tyre kanë zgjedhur këtë formë si rebelim ndaj mosmarrjes së parave. Sipas pasagjerëve të kontaktuar në telefon nga News24 avioni është nisur nga Rinasi në orën 15:00 dhe pasi ka ndenjur për më shumë se 3 orë në ajër është ulur në Bratislavë. Pasagjerët janë në aeroport, ndërsa thonë se asnjëri nuk po i sqaron për situatën e krijuar. Sipas tyre i vetmi informacion që u është thënë bën fjalë për një defekt në avion dhe një ulje të detyruar në Sllovaki , ndërsa destinacioni ka qënë Bolonja. Ndërkaq kompania Albania Airlines bën të ditur përmes një komunikimi zyrtar se pilotët cekë janë paguar rregullisht, ndërsa shkak i këtij devijimi ka qenë një defekt teknik. Kompania deklaron se ka nisur një tjetër avion drejt Bratislavës për të transportuar pasagjerët drejt Bolonjës. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit njofton se avioni i Tipit Boeing 737/300 me destinacion Bologna (Itali), është nisur nga Aeroporti Nënë Tereza, në orën 16:31 sipas orës lokale dhe është ulur ne aeroportin e Bratislavës – Republika Sllovake. Sipas njoftimit të ministrisë, deri ne momentin e daljes nga hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas planit te aprovuar te fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion Bolonjën. Ndërkaq MPPTT njofton se avioni është ne pronësi te Kompanisë Ajrore Sllovake “Air Slovakia” dhe prej gati 3 muajsh punon për llogari te Kompanisë ajrore “Albanian Airlines Mak” “Avioni ka 110 pasagjerë në bord., të cilët për momentin, janë akomoduar në ambientet e aeroportit te Bratislavës. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil autorizoi Kompaninë Ajrore “Albanian Airlines Mak”, pas kërkesës se kësaj te fundit, për të organizuar një fluturim ekstra për te transportuar pasagjerët nga Aeroporti i Bratislaves ku ndodhen aktualisht për në Aeroportin e Bolonjës” thuhet ne njoftimin e MPPTT. Ministria e Transporteve deklaron se është ngritur një grup pune për të hetuar ngjarjen e pazakontë. Edhe Ministria e Jashtme është mobilizuar për rastin në fjalë duke bërë të ditur se i ngarkuari me punë në Vienë, Egin Ceka është nisur urgjentisht në Bratislavë.I kontaktuar në telefon nga News24, Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku deklaroi se është aprovuar kërkesa e kompanisë Albania Airlines për nisjen e një avioni tjetër për të marrë pasagjerët nga Bratislava e për ti transportuar në Bolonja. Mazniku tha se ky avion nuk është nisur ende. Drejtori i Aviacionit Civil u shpreh se arsyet e devijimit të avionit nuk janë zyrtare dhe ende mbetet i paqartë ndryshimi i destinacionit. Pasagjerët thonë se deri në orën 23:00 të mbrëmjes nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme apo asistence, ndërsa në sallën e vogël ku janë akomoduar ndodhen fëmijë të vegjël me temperaturë e gra shtatzënë. Temperatura në Bratislavë është shumë e ulët, arrin deri në minus 4 gradë celcius. (e.n/BalkanWeb)