E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokat për Ombudspersonin

Avokati i Popullit është në hall të madh. Deri në fund të muajit, i duhet t’i lëshojë zyrat dhe të gjejë objekt me qira. Ndërtesa ku është i vendosur që nga themelimi, është privatizuar. Por Ombudspersoni nuk ka para as për qira, sepse kjo nuk ishte planifikuar. Institucioni i krijuar nga Kuvendi i Kosovës për të ndihmuar qytetarët, nuk i intereson askujt. Legjislativi nuk merret me çështje të tilla, kurse Ministria e Administratës Publike ka telashe me veten. Nga Nexhmije Ahmeti më 12 korrik 2011 në ora 07:06

Aq keq i ka punët Avokati i Popullit, sa shumë shpejt ka mundësi të bëhet për ndihmën e një Ombudspersoni për ta ndihmuar, nëse do të kishte një të dytë. Institucioni që kujdeset për t’u dhënë ndihmë qytetarëve në rast se iu shkelen të drejtat nga instanca të ndryshme, është bërë vetë për ndihmë. Shumë shpejt ka mundësi që Avokati i Popullit të mbesë në rrugë.

Avokati i Popullit dhe stafi i tij kanë afat të qëndrojnë aty ku janë, vetëm deri më 27 gusht të këtij viti. Pas kësaj date, ata duhet t’i lirojnë zyrat ku janë, në ndërtesën afër Qendrës së Studentëve në lagjen “Ulpiana”, në Prishtinë. Në të kundërtën, do të largohen nga objekti, edhe pse aty i kanë zyrat që nga themelimi, vite më parë.

Ndërtesa e madhe e me shumë hapësirë brenda, por jo edhe aq komode, ku është ky institucion, tash është privatizuar dhe Avokati i Popullit, duket se nuk ka nga t’ia mbajë. Kështu, para se të merret me hallet e të tjerëve, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka filluar të merret me problemet e veta. Ai u ka dërguar një letër Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, nga të cilët ka kërkuar të gjendet një zgjidhje për këtë institucion. Por nga Qeveria, konkretisht nga Ministria e Administratës Publike, ka marrë përgjigje negative.

“U jam drejtuar institucioneve kompetente, në këtë rast Kuvendit e me rekomandim të këtij të fundit, Ministrisë për Administratë Publike. Përgjigjja e tyre është negative”, thotë Sami Kurteshi, Avokat i Popullit për Express. Ministria i ka thënë këtij institucioni se nuk ka mundësi t’i sigurojë atyre hapësirë. Kështu, tash Sami Kurteshit duket se i duhet të shndërrohet në avokat të institucionit ku punon.
Në një raport që Kurteshi i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, një kopje të së cilës e ka edhe Expressi, në mesin e shumë ankesave të tjera me të cilat përballet institucioni i Avokatit të Popullit, ai përmend edhe çështjen e gjetjes së objektit.

“Ministria e Administratës Publike, me shkresën e datës 13 maj 2011, njofton Avokatin e Popullit se nuk mund t`i sigurojë hapësirë për zyrë, por ai vetë duhet të bëjë zgjidhje”, thuhet në raportin që posedon gazeta. Kjo e ka dëshpëruar Sami Kurteshin, i cili përveç të tjerave, tash duhet të kërkojë zyrë me qira, por edhe për këtë nuk i ka paratë që i duhen.

“Përfundimisht, institucionet e Kosovës, përgjegjëse për sigurimin e objektit për punë për Institucionin e Avokatit të Popullit, janë deklaruar se nuk do të kryejnë obligimin ligjor”, ankohet Kurteshi.

Të gjitha këto veprime të Kuvendit dhe të Qeverisë, sipas tij, bien në kundërshtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, ku shprehimisht thuhet që Ombudspersonit i sigurohen objekte të duhura për punë dhe pajisje të tjera, në mënyrë që t’i mundësohet kryerja efektive e funksioneve dhe e përgjegjësive të tij. Me këto veprime, sipas Kurteshit, është vënë në pikëpyetje vazhdimësia fizike e punës së këtij organi, si i vetmi institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, parashikuar edhe me Kushtetutë. Madje, ai ankohet edhe për mosmiratimin e kërkesës që pikërisht për pagesën e qirasë, t’i ndahet më shumë buxhet.

Komisioni për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës, ka ndarë një shumë 629 mijë e 390 euro, por sipas Avokatit të Popullit, këto para janë të pamjaftueshme edhe për pagesën e qirasë. Përkundër këtyre ankesave të Avokatit të Popullit, zgjidhje duket se nuk ka. Ky institucion duhet që ta gjejë objektin dhe vetë ta paguajë qiranë. Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet sekretarit Ismet Krasniqi, i është përgjigjur kërkesës për akomodim të stafit të Avokatit të Popullit, duke i sqaruar se institucioni më i lartë ligjvënës në vend, nuk bën akomodimin e askujt dhe e ka të pamundur të sigurojë zyrë për ndonjë institucion, edhe pse në këtë rast, atë të Ombudspersonit, vetë e ka formuar. Për këtë arsye, Krasniqi i sugjeron Kurteshit, t’i drejtohet Ministrisë së Administratës Publike, pasi sipas tij, ajo ka përgjegjësi për akomodim të institucioneve. Në letërkëmbimin ndërmjet Kurteshit dhe ministrit Mahir Yagcilar, ky i fundit i ka sugjeruar Ombudspersonit që të gjejë rrugë alternative për këtë problem, pasi Ministria nuk ka mundësi ta bëjë këtë.

“Ju njoftojmë se ne aktualisht po ballafaqohemi me mungesë të madhe të hapësirave për punë për shumë institucione. Ministria nuk ka mundësi të sigurojë hapësira për institucionin tuaj. Po ashtu ju njoftojmë se ne nuk kemi mjete të parapara për qira për objekte private dhe se kjo punë nuk është përgjegjësi e Ministrisë sonë”, thuhet në letrën që Yagcilar i ka kthyer Kurteshit, një kopje të së cilës e ka Expressi.

I përballur me përgjigje refuzuese, Avokati i Popullit thotë se tjetër zgjidhje nuk i ka mbetur, vetëm se i duhet sa më shpejt të gjejë një objekt me qira. Injorimin që i kanë bërë institucionet e vendit, Sami Kurteshi e cilëson si jo të drejtë. Madje ai këtë sjellje të këtyre institucioneve e simbolizon me një fjalë të urtë popullore.

“Zoti ta baftë çaren”.

Derisa Kurteshi t’ia gjejë zgjidhjen për institucionin që përfaqëson, ata që kanë halle e presin ndihmë nga Avokati i Popullit, duhet t’ia bëjnë çaren vetes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›