E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telashet e Veriut

Serbët në veri të Mitrovicës nuk pajtohen me vendimin e Policisë së Kosovës për largimin nga puna të komandantëve të stacioneve policore në atë pjesë të vendit. Strukturat paralele, përveç që i kanë rizgjedhur të njëjtit në këto detyra, kundërshtojnë edhe marrëveshjet Prishtinë-Beograd. EULEX’i është përfshirë në ndërmjetësim. Nga Jeton Musliu më 12 korrik 2011 në ora 11:18

“Tradhti!”. Kjo është fjala më e butë që kanë përdorur të hënën serbët lokalë të Mitrovicës, në protestën e tyre duke sharë e fyer delegacionin e Serbisë, në bisedimet me Kosovën.

Të prirë nga drejtues të strukturave paralele serbe në veri të vendit, ata kanë kundërshtuar arritjen e marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe kanë vendosur të shkëpusin kontaktet me misionin e EULEX’it, duke e quajtur atë të njëanshëm.
Telashet në Mitrovicë kanë filluar që në mëngjes, kur është shënuar përplasje ndërmjet policisë së EULEX-it dhe qytetarëve lokalë serbë.

Ata kanë kërkuar që komandantët serbë të veriut të Kosovës, të larguar nga puna me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, të hyjnë në objektet e stacionit policor. Por një veprim i tillë është kundërshtuar nga EULEX’i. Kryetarit paralel në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka thënë se pushtetarët në Prishtinë nuk do të mund të emërojnë apo shkarkojnë njerëz udhëheqës në stacionin policor në veri të këtij qyteti. Sipas tij, “ata kanë thyer rregullat dhe se vendimin e rotacionit e kanë marrë pa pëlqimin e qeverisjes lokale në Veri”.

“Vetëm EULEX’i ka të drejtë për të zgjidhur këtë situatë”, ka thënë Pantiq, duke shtuar se përfaqësuesit e këtij misioni, sipas marrëveshjes me Serbinë, e kanë pushtetin në Kosovë. Megjithëkëtë, largimin nga puna të komandantëve serbë të Policisë së Kosovës që nuk i zbatonin urdhrat nga Prishtina dhe mbështetjes që EULEX’i i ka dhënë zbatimit të tij, Pantiq e ka vlerësuar si konfirmim të njëanshmërisë së misionit të EULEX’it. “Kjo vetëm sa konfirmon se EULEX’i është në anën e shqiptarëve dhe se nuk është neutral siç ishte dashur të jetë”, ka thënë Pantiq.

“Do t’i ndërpres të gjitha kontaktet me EULEX’in, nuk do të takohem as formalisht dhe as jozyrtarisht”, është shprehur ai, transmeton Kosovapress, deklaratën e tij.
Ndërkohë, në lidhje me situatën e krijuar, të hënën, EULEX’i ka dërguar njësitet speciale të policisë së vet në veri të vendit, në pritje të ndonjë situate të paparashikuar. Raportimet se policia e EULEX’it i ka bllokuar hyrjet e stacioneve policore në Veri, i ka hedhur poshtë zëdhënësi i këtij misioni, Nicholas Hawton.

“EULEX’i shpreson që kjo çështje do të zgjidhet me marrëveshjen e të gjitha palëve”, ka deklaruar ai. Zyrtarë të lartë të këtij misioni janë përfshirë në bisedime me drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe të përfaqësuesve serbë në veri të Mitrovicës për të gjetur zgjidhje të situatës së krijuar. Është raportuar se i përfshirë në këto bisedime është vetë Andy Sparkes, zëvendësshef i EULEX’it, por të merrej një konfirmim zyrtar për këtë ishte e pamundur.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e strukturave paralele serbe kanë mbajtur të hënën një mbledhje në Zveçan dhe kanë hedhur poshtë marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Por, Oliver Ivanoviq, sekretar i shtetit në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, këtë tubim e ka quajtur si mbledhje të opozitës serbe, e konkretisht të partisë Demokratike Serbe të Vojisllav Koshtunicës.

“Tubime të tilla mbahen në momentet kur disa parti përgatiten për zgjedhje, andaj nuk mund ta vlerësoj këtë tubim ndryshe, përveçse tubim partiak i Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare, të cilat fillojnë kampanjën”, ka thënë Ivanoviq.

Në këtë mbledhje të emërtuar si ‘Kuvendi i madh i popullit serb të Kosovës’, janë hedhur poshtë plotësisht zgjidhjet, të cilat përmes dialogut janë arritur në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›