Nis takimi i GDN-së për Kosovën

Në Prishtinë po zhvillohet takimi i radhës i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në të cilin po marrin pjesë përfaqësuesit e 26 vendeve evropiane dhe atij të Shteteve të Bashkuara.
Takimi po mbahet në nivelin e drejtorëve të Ballkanit, ndërsa pjesëmarrës janë edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjetër të qeverisë së vendit.
Pjesë e diskutimeve thuhet se do të jenë temat që ndërlidhen me zbatimin e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës - dokument zbatimi i të cilit do të vlerësohet në shumë fusha.
Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare i thanë,ditë më parë, Radios Evropa e Lirë se në takim pritet të jepen edhe vlerësimet lidhur me mandatin e ICO-së në Kosovë.
Sfidë e ardhshme e ICO-së në vend thuhej se është, ndër të tjera, krijimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore - projekt i cili për shkak të kundërshtimit serb në veri nuk është realizuar deri më tani.
Pavarësisht pengesave për të shtrirë autoritetin në veri, zyrtarë të lartë të ekzekutivit kosovar ka kohë që kanë kërkuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.
Në konferencën për shtyp, e cila është caktuar të mbahet në orët e pasdites, kryeministri Thaçi dhe diplomati holandez Feith pritet të japin më shumë hollësi rreth së ardhmes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që udhëheqin.