Mashtrime në Parlament

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka nxjerrë Raportin nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës, për muajin qershor, ku janë evidentuar një varg parregullsish.
Shqetësimet kryesore në bazë të këtij raporti janë: “Keqpërdorimi” i votave të deputetëve në Kuvend, vazhdimi i politizimit të agjencive të pavarura dhe përjashtimi i Kuvendit nga procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi.
Shqetësimi i parë ka të bëjë me rastet e evidentuara ku deputetët e kësaj legjislature kanë filluar të praktikojnë votimin edhe pa qenë fare fizikisht në seancë plenare. “Për këtë gjithnjë e më tepër po kujdesen kolegët e tyre deputetë, të cilët po votojnë edhe për deputetët që nuk janë fare në seancë, por i lënë kartelat e tyre në sallën e Kuvendit, për të dëshmuar rrejshëm prezencën e tyre”, thuhet në raport.
Jo rrallëherë po ndodh në Kuvendin e Kosovës që të ketë më shumë votues, sesa pjesëmarrës në seancë plenare, madje kryesuesit e seancës në disa raste kanë tërhequr vërejtjen lidhur me këtë problematikë, mirëpo asnjëherë nuk e kanë bërë transparente këtë gjë, e aq më pak të kenë ndërmarrë ndonjë masë për të evituar në të ardhmen sjelljet e tilla.
Monitoruesit e KDI’së kanë vërejtur që vetëm brenda një seance plenare si ajo e 23 qershorit, ka pasur raste kur një deputet gjatë kohës kur po shqyrtoheshin disa projektligje, ka votuar deri 15 herë për veten dhe kolegen e tij deputete, e cila nuk ishte e pranishme fare në sallë. Prandaj, KDI’ja rekomandon që Kryesia e Kuvendit dhe Nënkomisioni për Rregullore do të duhej ta normonin këtë praktikë për ta sanksionuar atë, për deputetët të cilët keqpërdorin votimin në seancë plenare.
Sa i përket shqetësimit të dytë, atij rreth vazhdimit të praktikës së politizimit të agjencive të pavarura, KDI’ja konstaton se një dukuri e tillë është vërejtur edhe tek Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si organ i ri. Qeveria kishte propozuar në pozitën e mbikëqyrësit kryesor shtetëror, z. Ruzhdi Jasharin, ndërsa për mbikëqyrës shtetërorë: Ramadan Qehajën, Mentor Hoxhajn, Bekim Demirin dhe Aleksandar Spasiqin. “Kuvendi i Kosovës me 58 vota për, 19 kundër dhe 2 abstenime, e miratoi këtë propozim të Qeverisë duke lejuar që kandidati i cili është anëtar i partisë më të madhe në vend (PDK) të ushtrojë një përgjegjësi, për të cilën është e domosdoshme që të jetë një personalitet i pavarur”, thuhet po ashtu në raport.
Sipas KDI’së, veprimet e tilla të Kuvendit dhe Qeverisë duke i vendosur në krye të agjencive shumë të rëndësishme, njerëzit shumë të afërt me politikën dhe partitë në pushtet, po e dëmtojnë interesin publik dhe statusin e vetë këtyre agjencive.
Si vërejtje tjetër, KDI’ja ka theksuar edhe anashkalimin e Kuvendit nga ana e Qeverisë së Kosovës në procesin e bisedimeve Kosovë - Serbi.
“Përveç platformës së shumëpërfolur të bisedimeve, të cilën asnjëherë nuk e kanë marrë deputetët e Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë anëtarët e Komisionit për punë të jashtme, edhe pse u ishte premtuar paraprakisht”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në raportin mujor po ashtu flitet edhe për dinamikën e punës së Kuvendit të Kosovës, listën e raporteve të miratuara nga Kuvendi, atë të projektligjeve të miratuara në parim, transparenca e punës së Kuvendit, parregullsitë që po e përcjellin punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe mbikëqyrjen parlamentare ndaj Qeverisë.