E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista me emra, kush ikën dhe kush vjen në Këshillin Kombëtar të PD-së



Eljona Ballhysa
Tri ditë para mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, Kryesia e vogël e kësaj partie po i jep dorën e fundit listës së emrave që do t’i propozohet Kuvendit për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Tani është e qartë dhe askush nuk ka dyshime apo enigma për emrin e kryetarit të partisë, pasi i vetmi kandidat për këtë post është kryetari aktual Berisha. Ndaj, Kuvendi Kombëtar pritet të zbardhë emrat e rinj për Këshillin Kombëtar, rëndësia e të cilëve është në faktin se ata mund të zgjidhen dhe të zgjedhin anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe Sekretariatit. Për këtë arsye, prej ditësh ka nisur procedura e hartimit të listës me emra që do t’i propozohet Kuvendit për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Burime bëjnë të ditur se nga listat paraprake vërehet largimi i disa emrave që kanë spikatur për kritikat ndaj drejtimit me dorë të hekurt nga Berisha, si dhe afrimi i deputetëve të rinj të PD-së, të cilët njihen për mbështetjen pa kufi për çdo vendim të kryetarit Berisha.
Këshilli
Në bazë të Statutit të PD-së, Këshilli Kombëtar drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy kuvendeve. Këshilli Kombëtar përbëhet nga kryetari, sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarët funksionalë, ish-Presidentët e Republikës, ish-kryeministrat, ish-kryeparlamentarët dhe ish-kryetarët e PD-së, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë, kryetarët e degëve, kryetarët e organizatave partnere si dhe nga anëtarët që duhet të votohen. Por, rëndësia e Këshillit Kombëtar është se ai zgjedh dhe shkarkon nëpërmjet votimit anëtarët e Kryesisë Qendrore si dhe drejtuesit e lartë të partisë, siç janë nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e tjerë të partisë. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se kryetari i PD-së do të jetë mëse i vëmendshëm që të vendosë në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbështetësit e tij. Burimet bëjnë të ditur se vazhdojnë të jenë me pikëpyetje emrat tre ish-deputetëve kritikë ndaj Berishës, por që janë ndër themeluesit e partisë. Kështu, ende nuk është vendosur nëse do të largohen nga Këshilli Kombëtar anëtarë të tillë si Besnik Mustafaj, Preç Zogaj e Aleksandër Biberaj.
Kuvendi
Miratimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të zhvillohet në mbledhjen e Kuvendit të PD-së, që do të mblidhet më 14 dhjetor, ditën e hënë. Kuvendi, në bazë të Statutit, mblidhet një herë në katër vjet dhe parashikohej të mbahej në fund të muajit prill, por zhvillimi i tij u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Demokratët në këtë Kuvend do të rimandatojnë kryetarin e Partisë, Sali Berishën, duke e zgjedhur sërish në krye të PD-së edhe për katër vjet të tjerë. Në Kuvendin Kombëtar do të votohet për programin politik të PD-së me të cilin do të qeverisë vendin për katër vitet në vazhdim, si dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar. Ajo që ka filluar të lëvizë është përpjekja e figurave të PD-së për të marrë një post në Sekretariatin e kësaj partie apo në Kryesinë Qendrore, që është organi më i lartë vendimmarrës i PD-së. Prej kohësh është folur në strukturat e Partisë Demokratike për një reformë të kupolës drejtuese të partisë, çka përfshin zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kryesisë Qendrore, si dhe zgjedhjen e individëve të rinj në postet e sekretarëve. Por ashtu, siç bëhet e ditur edhe nga drejtues të lartë të PD-së, siç është Astrit Patozi, Kuvendi nuk pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në lidershipin e partisë. Pra pritet që figurat kryesore të PD-së të vazhdojnë të mbajnë postet e tyre, përveç largimit të disa prej anëtarëve aktualë të Kryesisë dhe afrimit të individëve të rinj, duke pasqyruar edhe përbërjen e re të Grupit Parlamentar të PD-së.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›