Ford C-Max, Automjeti i fuqishëm ekonomik
Ford ka publikuar disa fotografi të gjeneratës së ardhshme të modelit C-Max, në prag të panairit të automjeteve në Frankfurt të Gjermanisë. Pamja e automjetit është krijuar në bazë të konceptit Iosis Max, ndërsa modeli vazhdon me ‘filozofinë’ e një automjeti kompakt por me shumë funksione. C-Max i ri do të ndërtohet në platformën e re C të Fordit, e cila do të jetë baza e arkitekturës edhe për gjeneratën e re të Focusit në fund të vitit 2010. Ford nuk i ka zbuluar të gjitha detajet, por dihet se C-Max për vitin 2011 do të jetë i pajisur edhe me motorin e ri 1.6 litërsh EcoBoost me katër cilindra, që do të thotë se do të ketë turbo-mbushës dhe djegie direkte me qëllim të krijimit të më shumë kuajve fuqi dhe më pak shpenzime. Automjeti del në treg për shitje në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm megjithatë ende nuk janë bërë të ditura detaje për çmimin. Adhuruesit e kësaj makine kanë shprehur padurimin për të pasur të tyrin modelin më të ri të kompanisë Ford.
Rolls Royce Ghost
Prezantohet modeli i ri
Pas disa muajsh nga prezantimi i fotografive të modelit të ri Rolls Royce edhe zyrtarisht është paraqitur modeli Ghost, i cili dekorohet me elegancë futuristike dhe komoditet, që është edhe privilegj i kësaj marke ekskluzive të automjeteve.
Në bazë të fotografive të para dhe video incizimeve është e qartë që Rolls Royce Ghost nga pikëpamja vizuale nuk largohet nga koncepti i pranuar shumë mirë i modelit 200EX i cili është paraqitur në fillim të këtij viti në panairin e automjeteve në Gjenevë. Kështu, Ghost i ri në mënyrë specifike kombinon dizajnin e dalluar klasik të Rolls Royce me stilin bashkëkohor i cili në këtë shoqëri të lartë është i domosdoshëm. Ashtu siç është pritur, në pjesën e përparme dominon maska e formësuar veçanërisht e cila thekson pjesën e ftohësit të makinës.
12 Shtator 2009