Sherr masiv në burgun e Lezhës
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Tentativa për të vendosur zonat e influencës në burgun e Shënkollit nga ana e të paraburgosurve ka përfunduar në një konflikt të dhunshëm mes tyre. Përleshja e nisur mes 10 të dënuarve është pasuar me ndërhyrjen e egër të gardianëve të burgut, për të normalizuar situatën. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga të dy palët ka pasur dhe të lënduar, për të cilët është kërkuar ndihma e mjekut të burgut. Ngjarja e ndodhur rreth orës 10:00 të paradites është tentuar të mbahet e fshehtë nga drejtuesit dhe punonjësit e tjerë të burgut të Shënkollit të Lezhës, të cilët nuk kanë bërë të ditur as emrat e personave që iniciuan sherrin. Por ajo që ra dje në sy në ambientet e jashtme të burgut ishte tejmbushja e tyre me forca të shumta policie, të burgut dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat vunë situatën nën kontroll. Burime të sigurta informacioni brenda burgut bënë të ditur se konflikti ka ndodhur paraditen e djeshme, në katin e tretë të godinës numër 1 të burgut të Shënkollit. Kjo ndodhi në kohën kur të paraburgosur, të arrestuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht nga Shkodra dhe Kurbini ndodheshin në dhomat e ajrimit. Ata kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrit, duke tentuar të vendosin "ligjin" në burg. Fillimisht, askush nuk e ka menduar pasojën e kësaj përplasjeje me fjalë, por brenda pak sekondash ajo ka degjeneruar në përleshje fizike mes grupeve. Të dhënat e marra në rrugë jozyrtare flasin se e gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 20 minuta, pasi ndërhyrja e dy gardianëve që ruanin katin ku edhe ndodhi ajo ka qenë e pamundur përballë numrit të personave të përfshirë. Është dashur ndërhyrja brutale e grupit të gatshëm të Policisë së Burgut të Shënkollit që me anë të dhunës të bëjë të mundur shuarjen e konfliktit mes të paraburgosurve. Ndërkohë që drejtuesit e burgut kanë mobilizuar të gjithë grupet e policisë, duke qëndruar në gatishmëri "non stop". Nga burime brenda burgut mësohet se një nga të paraburgosurit, i cili ka qenë edhe shkaktari i konfliktit është futur në dhomat e izolimit. Pritet që hetimet që kanë nisur për ngjarjen dhe njëkohësisht verifikimi i pamjeve nga kamerat e sigurisë do të zbardhin nisjen e sherrit dhe autorët e përfshirë në të. Gjendja gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë e nderë në burgun e Shënkollit. Një grup nga policia dhe prokuroria e Lezhës kanë marrë çështjen në dorë, për të identifikuar saktësisht autorët. Në këtë burg janë të izoluar 400 persona, një pjesë e të cilëve kanë marrë dënimin, ndërsa të tjerë vendosen aty pas arrestimit. Të dhjetë personat e përfshirë në konfliktin e djeshëm ishin arrestuar pak kohë më parë dhe nuk kishin marrë dënimin për veprat e kryera.