E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët: Dizdari shkeli ligjin, hetoi “Hakmarrjen”

08/11/2011  Kushtetuesja kthen dosjen e “Hakmarrjes për Drejtësi”

TIRANE-Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për gjykim në Gjykatën e Lartë dosjen penale ku të pandehur janë anëtarët e grupimit që njihet ndryshe si “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Gjyqtarët i kanë dhënë të drejtë avokatëve mbrojtës, duke vendosur rikthimin për gjykim të dosjes penale në Gjykatën e Lartë. Mësohet se në vendimin e saj gjykata i ka dhënë “ok” dy kërkesave të ngritura nga pala mbrojtëse, e cila në kërkesën e parë pretendonte se çështja e mospranimit të rekursit është gjykuar nga gjyqtari Gani Dizdari, i cili në kohën e hetimit të dosjes ka qenë zëvendësprokuror i përgjithshëm dhe është marrë direkt me hetimin e aktivitetit kriminal të organizatës. Por implikimi i gjyqtarit Dizdari, nuk është provuar vetën në këtë rast, pasi sipas mbrojtjes ai ka qenë prokuror në çështjen penale kundër babait të Orik dhe Laert Shytit. Ndërsa për sa i përket kërkesës së dytë, mbrojtja ka pretenduar se gjykimi është bërë tej afatit të arsyeshëm nga ligji. Këto pretendime janë miratuar dhe nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët tashmë kanë urdhëruar rigjykimin e dosjes për 10 anëtarët e organizatës mafiozes. Gjykimi pritet të kryhet sërish në Gjykatën e Lartë, të cilës do t’i duhet të shprehet lidhur me dënimin e anëtarëve të organizatës “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Në muajin dhjetor të 2010 Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit, vendim ky që detyroi dje Gjykatën Kushtetuese të rikthejë çështjen për rigjykim. Pas dhënies së vendimit ka reaguar dhe Orik Shyti, i cili prej disa vitesh ka fituar statusin e azilantit politik në Belgjikë. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve NOA, Shyti ka pohuar se vendimi i djeshëm, provon faktin se ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë është cenuar e drejta kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor. Ai ka shtuar se me qindra herë Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar botërisht se ne kishim krijuar organizatën kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” dhe se, në zbatim të platformës së saj, kishim kryer dhjetëra krime. “Gënjeshtrave dhe shpifjeve të tij u jemi përgjigjur me fakte. Në dosjen gjyqësore ndodhen të administruara dëshmi dhe të tjera prova, shkresore dhe shkencore, që faktojnë se Saliu është ati, nuni dhe pagëzori i “Hakmarrjes Shqiptare për Drejtësi”,- ka deklaruar Orik Shyti. Sipas vendimit të dhënë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas katër viteve proces gjyqësor dhe vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të pandehurit e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, gjatë periudhës 1992 – 1996 kanë kryer 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje. Ndërkohë, pas viteve 2000, disa nga këta të pandehur që vazhdojnë të shijojnë lirinë, kanë kryer edhe veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. “Nga shqyrtimi gjyqësor i dosjes është arritur në përfundim se të pandehurit Altin Arapi e Orik Shyti kanë kryer rolin e drejtuesve të organizatës, në emër të së cilës kanë kryer një sërë veprash të rënda penale për të cilat deklarohen fajtorë dhe dënohen me “burgime të përjetshme”. Të pandehurit Gentian Caka e Roland Shyti dënohen me nga 25 vjet burg secili. Të pandehurit Kreshnik Spahiu, Nikolin Novruzaj e Leart Shyti u dënuan me nga 24 vjet burg secili. I pandehuri Dritan Hate u dënua me 23 vjet burg, ndërsa i pandehuri Pasho Nevruzaj u dënua përfundimisht me 17 vjet heqje lirie dhe Gëzim Gjoni me 5 vjet burg”,-thuhet ndër të tjera në diapozitivin e vendimit të formës së prerë, që njëherazi ka mbyllur edhe procesin më të gjatë gjyqësor të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, duke zgjatur rreth 15 vite nëpër dyert e gjykatave.

Masat e dënimit

1. Altin Arapi burg përjetë

2. Orik Shyti burg përjetë

3. Kreshnik Spahiu 24 vjet burg

4. Nikolin Novruzaj 24 vjet burg

5. Leart Shyti 24 vjet burg.

6. Gëzim Gjoni 5 vjet burg

7. Pasho Novruzaj 17 vjet burg

8. Dritan Hate 23 vjet burg

9. Gentian Caka 25 vjet burg

10. Roland Shyti 25 vjet burg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›