Kamerieri vrasës: Nuk mbaj mend gjë nga ngjarja, kam qenë i dehur
Pranon krimin, por nuk jep asnjë shpjegim rreth motiveve që e çuan në krim. I vetmi deklarim i kamerierit 25-vjeçar, i cili vrau me thikë punëdhënësin e tij dy net më parë, është se ai nuk mbante mend asgjë nga ngjarja, pasi kur ka kryer krimin ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike. “Nuk më kujtohet asgjë nga mbrëmja e kaluar. Kam qenë i pirë dhe s’e kam ditur se ç’po bëja në ato momente”, - janë fjalët që Ibrahim Cengu ka thënë përpara agjentëve. Ngjarja ndodhi në një restorant afër aeroportit të Rinasit. Autori i vrasjes u arrestua në orët e vona të natës në afërsi të fshatit Nikël në Krujë. Sipas burimeve nga policia, i riu u arrestua ndërsa ishte duke ecur në rrugë pranë Niklës. Ai qëlloi duke i shkaktuar vdekjen pronarit të lokalit ku punonte, 65-vjeçarit Sherif Memoçi. Vrasja ndodhi rreth orës 21:30 të së martës, pranë aeroportit të Rinasit. Sipas dëshmitarëve, 65-vjeçari Sherif Memoçi, lindur dhe banues në fshatin Prezë të Tiranës, ka filluar të debatojë ashpër me kamerierin Ibrahim Cengu, nga Kruja. Sipas dëshmitarëve, shkak i sherrit mes pronarit të restorantit me punonjësin e tij mësohet të ketë qenë e bija e viktimës. Sipas burimeve policore, Memoçi ka kundërshtuar lidhjen e dashurisë mes dy të rinjve. Konflikti ka degjeneruar deri në përleshje. Në gjaknxehtësi e sipër, 25-vjeçari Cengu ka nxjerrë thikën dhe ka goditur disa herë me thikë në trup punëdhënësin e tij. Si pasojë e plagëve të marra në trup, 65-vjeçari ka gjetur vdekjen. Ndërsa autori i krimit u largua me shpejtësi, për të rënë në prangat e uniformave blu pak orë më pas.