Berisha: Ndotja e bregdetit, e qëllimshme dhe e stisur
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka quajtur të qëllimshme dhe të stisur ndotjen e bregdetit në Vlorë. Ai e cilësoi këtë veprim të njëjtë me atë që u bë me "vjedhjen e orës së Presidentit Bush". Deklaratat e numrit një të ekzekutivit shqiptar u bënë gjatë takimit inaugurues të “Petroliferës”. Sipas Kryeministrit shqiptar, qëllimi i vetëm i kësaj ngjarjeje ishte që të prishte imazhin, në mënyrë që vlonjatët të mendojnë se “Petrolifera” po kryen ndotje të detit në Vlorë. Por kjo gjë nuk është realiteti, sipas Berishës, pasi qytetarët e Vlorës duhet të dinë se ky është impianti më modern në gjithë Mesdheun dhe me parametra bashkëkohorë dhe tepër i sigurt. Sipas numrit një të qeverisë, tashmë janë identifikuar përgjegjësit në lidhje me këtë akt, dhe ata do të mbajnë përgjegjësitë e tyre para ligjit.