Ndotet bregdeti i Vlorës në sezonin turistik, derdhet naftë e vaj
Ndërsa ka filluar sezoni turistik, bregdeti i Vlorës është ndotur me mbetje nafte dhe vaji në zonën e hidrovorit tek Pylli i Sodës, në afërsi të Plazhit të Vjetër. Policia shoqëroi në komisariat në lidhje me këtë ngjarje, e cila dyshohet se është e qëllimshme, tre persona, si dhe sekuestroi katër autobote që kanë derdhur lëndën në ujë si dhe një anije italiane. Mendohet se në det janë derdhur 60 ton lëndë ndotëse. Hetuesit akuzojnë administratorin e firmës “Arkand Junior” sh.p.k., Genis Mëhilli, si dhe dy shoferë të firmës, Florian Çeçi e Mikel Gjini, për kryerjen e veprës penale të ndotjes së ujërave, të kryer në bashkëpunim. Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka është bërë me vetëdije, me qëllim dëmtimin e një pjese të bregdetit të qytetit. Përreth zonës shikohen mbi ujë mbetjet e naftës dhe të vajit, të cilat tashmë janë përhapur në det, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Nga hetimet paraprake mësohet se këtë ndotje e ka shkaktuar firma “Arkand Junior” sh.p.k., me administrator 39-vjeçarin Mëhilli, banues në Vlorë, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë. Sipas burimeve nga policia, kjo firmë ka marrë mbetje nafte dhe vaji nga anija italiane “Guildo”. Më pas, ajo nëpërmjet katër autoboteve i ka shkarkuar ato në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Për këtë kanë ndihmuar edhe dy shoferët e autoboteve, Gjini dhe Çeçi, të cilët janë vënë gjithashtu në pranga.
U ngrit një grup hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, që kryesohet nga zv.prokurori i Rrethit Gjyqësor Vlorë. Derdhja e mbetjeve është kryer në vendin e quajtur “Kanali i motorit”, poshtë hidroforit. Ajo më pas me anë të rrjedhës së ujit ka dalë në det, ku ka filluar të përhapet. Mendohet se në kanal mund të jetë hedhur një sasi e konsiderueshme e lëndës ndotëse, e cila mund të jetë rreth 60 ton naftë e vaj, dhe që mund të jenë shkarkuar tre deri në katër autobote të mëdhenj. Kjo gjë është kryer në orët e vona të natës së të martës. Lënda ndotëse është përhapur shpejt në ujë, duke përfshirë zonën ku po ndërtohet “Petrolifera”, afër “Pyllit të sodës”. Sipas specialistëve, dëmet janë të mëdha, duke shkaktuar një dëmtim serioz të mjedisit. Banorët përreth kanë parë në orët e para të mëngjesit se në sipërfaqen e detit pluskonte një lëndë e zezë ndotëse, e cila ishte përhapur në një pjesë të konsiderueshme të detit Adriatik, duke përhapur edhe një erë të fortë nafte. Menjëherë është njoftuar policia e qytetit bregdetar, e cila pasi ka shkuar në vendngjarje, ka nisur hetimet. Kështu, ndërsa është hapur sezoni turistik, në një prej qyteteve më të rëndësishëm dhe më të pëlqyer të Shqipërisë, është rishfaqur fenomeni i ndotjes së detit, duke dëmtuar kështu seriozisht turizmin. Edhe pse zona, e ndotur, nuk frekuentohet shumë nga plazhistët, sërish është rreziku i përhapjes së lëndës ndotëse në një sipërfaqe akoma më të madhe në ujë, duke e bërë atë të papërdorshëm për pushuesit dhe duke dëmtuar turizmin në qytet. Nga ana tjetër, si pasojë e këtij gjesti, është dëmtuar flora dhe fauna në zonë. Për policinë, kjo është një ngjarje e qëllimshme, e cila ndodh pikërisht gjatë fillimit të sezonit turistik. (Vitet e fundit, një veprim i tillë ka ndodhur shpesh në një prej qyteteve me rivierën më të bukur në vend). Tre persona akuzohen si përgjegjës për këtë ngjarje dhe u sekuestruan katër autobote, si dhe anija italiane, nga ku ishte marrë lënda ndotëse.