E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksportet, energjia përmirëson bilancin

04/05/2010 Vijimi i shitjes së këtij produkti sjell rritje me 83 për qind

Rriten edhe importet, çka sjellë përkeqësim të debitit tregtar

Muaji mars 2010 shënon një rigjallërim të eksporteve. Sipas raportit të INSTAT-it, veç kësaj rritjeje zgjerim ka pësuar edhe gama e importeve e për pasojë vazhdon përkeqësimi i deficitit tregtar të vendit. “Në mars 2010 u eksportuan 14.556 milionë lekë mallra me rritje 28 për qind në krahasim me shkurtin e 2010-ës dhe rritje me 83 për qind në krahasim me marsin e 2009-ës. U importuan 38.177 mln lekë mallra me rritje 19.3 për qind në krahasim me shkurt 2010 dhe rritje 14 për qind në krahasim me mars 2009. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23.621 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 7.5 për qind krahasuar me marsin e 2009-ës”, deklaroi dje Alma Mezini, specialiste e tregtisë së jashtme. Por shifrat tregojnë se “lulëzimi” i eksporteve shqiptare më së shumti ka ardhur nga stina e mbarë në tregtimin e energjisë elektrike. “Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: Eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 67.7 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 34.5 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 27.3 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 19 për qind, etj”, tha Mezini. Ndërsa sa u takon importeve ka një rritje të konsiderueshme të materialeve të ndërtimit, prodhimeve të letrës, ushqimeve dhe karburanteve.

Maji

Bilanci i eksporteve do të vazhdojë me ritme pozitive edhe gjatë muajit maj, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare edhe për këtë muaj parashikon të eksportojë rreth 14.5 milionë Kw/h energji në ditë. Reshjet e këtyre muajve të fundit kanë bërë që KESH-i të arrijë shitje rekord të energjisë elektrike, ku fitimet për katër muaj arrijnë në 60 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›