E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosje pa fund

Aq raste se zgjidhin, po aq edhe u shkojnë. Duket si një punë që nuk do të mbarojë kurrë. Gjyqtarët e vendit, bashkë me gjykatat, janë para kolapsit.

Kjo bëhet edhe më e kuptueshme kur shikohen të dhënat zyrtare dhe ngarkesa që gjyqtarët kanë. Nga këto fakte, shihet më qartë gjendja e tyre e mjerueshme.

Numri i madh i dosjeve që vazhdojnë të mbesin në radhë, është aq i lartë, saqë krijohet përshtypja se gjyqtarët do të kishin tepër punë edhe sikur thjesht t’i numëronin rastet, e lëre më t’i zgjidhnin ato.

Më së rëndi në tërë këtë xhungël dosjesh është Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Prishtinës, e cila, sipas të dhënave zyrtare, duket të jetë para bllokimit.

Në këtë gjykatë janë 9 gjyqtarë, ku për secilin prej tyre, për tre muaj, u duhet që mesatarisht të merren me nga 880 raste.

Departamenti i Statistikës së Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka publikuar raportin për tremujorin e parë të këtij viti, në lidhje me punën e Gjykatave për Kundërvajtje në vend. Edhe pse ky raport përfshin periudhën, janar, shkurt dhe mars të këtij viti, shifrat e dosjeve që janë paraqitur, mbeten shumë të larta. Për më tepër, nga të dhënat, duket se gjyqtarët janë në një gjendje të pashpresë. Aq raste sa ata zgjidhin, aq edhe u shtohen.

Nëse këto të dhëna shikohen në mënyrë të përgjithësuar, duke u bazuar në të dhënat statistikore për të gjitha Gjykatat Komunale për Kundërvajtje të vendit, atëherë mund të shihet situata në të cilën ndodhen këto gjykata.

Në këtë mënyrë, Gjykatat Komunale për Kundërvajtje në tërë vendin, nga viti 2009, kanë trashëguar 73 mijë e 940 dosje, të cilave gjatë tre muajve të këtij viti u janë shtuar edhe 48 mijë e 562 të tjera, duke e rritur numrin e lëndëve në 122 mijë e 502 raste.

Nga kjo shifër, gjyqtarët kanë zgjidhur 50 mijë e 811 dosje, duke lënë të presin edhe 71 mijë e 691 të tjera, shifër e cila është e ngjashme me numrin e rasteve që ata kanë marrë në fillim këtij viti.

Vetëm Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Prishtinës, nga viti paraprak ka trashëguar plot 8 mijë e 904 dosje, të cilave gjatë tre muajve të këtij viti u janë shtuar edhe 7 mijë e 864 të tjera duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 16 mijë e 768 raste, të të gjitha niveleve.

Brenda këtij tremujori, gjyqtarët e kësaj gjykate, sipas të dhënave, kanë zgjidhur 8 mijë e 161 lëndë, duke mbetur të pazgjidhura edhe 8 mijë e 607 të tjera, që praktikisht numri i tyre është gati sa ai në fillim të tremujorit të parë të këtij viti.

Sa i përket Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Gjilan, në fillim të këtij viti, ajo ka trashëguar nga viti paraprak, 4 mijë e 327 dosje, të të gjitha niveleve.
Përveç këtyre, kjo gjykatë ka pranuar edhe 4 mijë e 490 raste të tjera duke bërë që numri i lëndëve të jetë 8 mijë e 881. Nga kjo shifër, gjyqtarët e saj kanë zgjidhur gjysmën e tyre ose 4 mijë e 663 dosje, por në fund situata është e njëjtë sikurse në fillim të tre muajve pasi kanë mbeture dhe 4 mijë e 154 raste të pazgjidhura.

Në atë të Prizrenit, nga dy grupet e dosjeve, të trashëguara dhe të pranuara gjatë tre muajve, kanë qenë 10 mijë e 151 raste, prej të cilave janë zgjidhur 6 mijë e 736 dhe kanë mbetur të pazgjidhura edhe 3 mijë e 415 raste.

Në gjendje të vështirë është edhe Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Pejës, e cila nga numri i përgjithshëm i dosjeve prej 6 mijë e 547, të pazgjidhura i kanë mbetur më shumë se gjysma e tyre, ose 3 mijë e 924 raste.

Në gjendje më të rehatshme nuk janë as Gjykatat Komunale për Kundërvajtje në komunat e tjera më të vogla, situata e të cilave ndryshon varësisht nga shtrirja territoriale dhe numri i banorëve që ato kanë. Në këto të dhëna, nuk janë përfshirë tri gjykata, ajo e Mitrovicës, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Në këtë raport zyrtar, të gjitha rastet janë të përpunuara dhe janë të ndara sipas cilësisë së veprave si shkeljeve në komunikacion, prishja e rendit dhe qetësisë publike, siguria publike, ato ekonomike, etj.

Lëndët
Këto janë të dhënat për disa prej Gjykatave Komunale për Kundërvajtje, ku paraqitet ngarkimi i gjyqtarëve me lëndë, vetëm për rastet e reja të pranuara brenda periudhës janar-mars 2010.
Gjilani- 5 gjyqtarë, nga 898 dosje secili.
Prizreni- 10 gjyqtarë, nga 455.3 raste secili.
Peja- 8 gjyqtarë, nga 362.5 raste secili.
Prishtina- 9 gjyqtarë, nga 873.8 raste secili.
Gjakova- 4 gjyqtarë, nga 518.3 raste secili.
Ferizaj- 5 gjyqtarë, nga 1087.6 raste secili.
Skenderaj- 1 gjyqtar, të gjitha lëndët ose 1125 raste.
Gllogofci- 2 gjyqtarë, nga 625.5 raste secili.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›