E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, vrasësi me pagesë nuk pranon të deklarojë



Laureta Rryçi

Seanca për procesin e bandës së Durrësit u ka servirur përfaqësuesve të akuzës një tjetër surprizë. Selman Heta, i vetëquajtur “vrasës me pagesë” dhe personi që ka zbërthyer gjithë veprimtarinë e bandës së Durrësit, u tërhoq dje duke mohuar gjithçka. Nuk pranoi të flasë për akuzën, ndonëse ishte në mëdyshje për një vendim të tillë. Kanë qenë avokatët ata që i sugjeruan të mos fliste. Procesi gjyqësor kundër 17 të pandehurve që akuzohen për dhjetëra vrasje në emër të “bandës së Durrësit” për dy orë me radhë kaloi përmes tensioneve të larta. Debate, ndërhyrje pa vend, replika mes prokurorit Anton Martini dhe avokatëve, ndërprerje të fjalëve nga i pandehuri Indrit Dokle. Me pak fjalë, konfuzion i plotë. Në seancë fillimisht më tepër pati debate mes palëve, sesa një zhvillim normal të gjyqit.
Debati
Zhurma u shkaktua nga ndërhyrja e avokatëve për të penguar të vetëquajturin vrasës me pagesë Selman Heta t’u përgjigjej pyetjeve të akuzës dhe për të mos u lexuar deklaratat e bëra në Policinë Gjyqësore. Ndërsa shkak u bë edhe një dëshmitar i papritur që solli prokurori Anton Martini dhe që quhej Agim Rexhepaj. Ky dëshmitar ishte shok i ngushtë i Lulzim Berishës dhe do të fliste për disa vrasje që i implikonin të pandehurit. Shfaqja e tij i irritoi avokatët Riza Icka, Ilia Ilia dhe Dashnor Mullai, të cilët njëzëri reaguan duke thënë se prokuroria ka ushtruar tension mbi të dhe se ai dukej që ishte i zverdhur nga frika. Kryesuesi i procesit është detyruar disa herë të tërheqë vëmendjen e avokatëve, por më kot. Secili vazhdonte të thoshte fjalën e tij atëherë kur e shihte të arsyeshme, madje të kritikonte edhe vetë trupën. Tre avokatë u përjashtuan. Gurali Brahimllari urdhëroi largimin e Riza Ickës, Ilia Ilias dhe Dashnor Mullait për thyerje të etikës dhe prishjen e rregullit në sallën e gjyqit. Pas këtij momenti gjithçka u ndërpre.
Pendimi
Selman Heta, i pandehuri në këtë proces, u tërhoq dje përpara Akuzës duke mos pranuar të deklarojë në sallën e gjyqit para të gjitha palëve në proces. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorit. Ndërkohë që me kërkesë të Akuzës, gjykata pranoi të lexoheshin deklarimet e dhëna prej tij më datë 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra. Fillimisht, kryesuesi i trupit gjykues i bëri me dije të pandehurit se Akuza kërkon që ai të pyetej. Pas kësaj fillimisht Selaman Heti u përgjigj se ishte dakord. Por, kur reaguan avokatët, i pandehuri u tërhoq duke thënë se nuk ka më dëshirë të deklarojë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit Anton Martini. “Unë konstatoj se ndaj Selman Hetës u ushtrua presion nga avokatët. Meqenëse nuk dëshiron të përgjigjet në bazë të nenit 370 KPP, kërkoj të lexohen deklarimet e tij si para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ashtu dhe në seancën për masën e sigurimit. Janë tri procesverbale; i pari më datë 18 mars 2006, para Sokol Malaj, i dyti më datë 7 qershor 2006, para Lorenc Dervishit dhe i treti më 22 shtator 2006, para prokurorit Behar Dibra”, - u shpreh prokurori Martini. Ndërsa avokatët deklaruan se kishin bërë kërkesë për pavlefshmëri të të gjitha akteve dhe procesverbaleve të hetimit dhe nuk dëshironin që ato të lexohen. Sipas mbrojtësve ligjorë, deklarimet e Selman Hetës janë marrë nën ndikimin e dhunës psikike. Ai vetë ato procesverbale nuk i ka lexuar asnjëherë. Pasi dëgjoi të dyja palët, gjykata vendosi të lexohet vetëm procesverbali i datës 22 shtator 2006. Për procesverbalin e datës 18 mars 2006 nuk mund të lexohet, pasi prokurori ka qenë i pranishëm, por nuk e ka marrë në pyetje të pandehurin.

Deklararimet e Selman Hetës gjatë fazës së hetimeve

Leximi i procesverbalit nuk u bë nga Akuza, por nga sekretarja gjyqësore. Në këtë deklarim, në prani të avokatit Dashnor Mullai, Selman Heta ka rrëzuar gjithçka të thënë kundër bandës.
“Shpjegimet e mia po i jap në prani të avokatit mbrojtës. Akuzat i kuptoj, por nuk i pranoj pasi nuk kam lidhje me to. Nuk e di se si më ka dalë emri në këtë ngjarje. Kam me thënë se jam marrë një herë në pyetje në mars të vitit 2006, në orët e vona të natës, në Policinë e Tiranës. Nuk është e vërtetë që unë nuk kam dashur avokat dhe nuk janë të vërteta ato që janë shkruar në procesverbal. Emrat e Adriatik Colit, Lulzim Berishës, Serdjan Sulejmanit, Indrit Dokles nuk e di se si janë vënë, pasi unë këta nuk i njoh. Alban Nelin e kam kushëri të tretë dhe nuk është e vërtetë që ai më ka njohur me Doklen. Jam arrestuar në Dajt më 18 mars 2006. Banoja në Qytetin Studenti me djalin e hallës, Bujar Sula. Kisha ardhur nga Burreli për të marrë një lokal me qira. Paratë për lokalin ia mora babait tim që punonte në një zdrukthëtari. I mora 4 mijë euro dhe ia dhashë kushëririt tim, Bujar Sula. Morëm një lokal në Porcelan. Unë nuk kam pasur shokë të tjerë në Tiranë dhe as lokalin me emrin “Flutura” te “Komuna e Parisit” nuk e di ku ndodhet. Në Tiranë kam ardhur shpesh. Nga Burreli vija me furgonë dhe paguaja 400 lekë të rinj. Nuk kam punuar në Burrel, ndërsa shkoja shpesh në plazhin e Durrësit me Spartak Kalthin, pasi njiheshim prej vitesh. Ndërkohë që kam pasur shoqëri edhe me vajza. Zura shoqëri me një vajzë nga Rrësheni me emrin Silvana Uka, ndërsa Denisa Koçiun nuk e njoh. Në burg kam dëgjuar për Lulzim Berishën. Më thanë kur u futa në burg se unë paskam dashur ta vras atë. Ato thënie në procesverbalin e parë nuk qëndrojnë. Unë kam folur vetëm për jetën time dhe mbaj mend që e kam firmosur në gjendje gjumi në orën 4 të mëngjesit të datës 18 mars 2006”, - përfundon deklarimet e Selman Heta.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›