Avokatët e Bashës e Tomës: Prokuroria zvarriti dosjen
Trazhgim Sokolaj
Avokatët e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, zyrtarëve të pandehur në dosjen “Durrës-Kukës”, akuzuan dje Prokurorinë e Përgjithshme për fabrikim politik me veprimet e saj. Duke iu referuar reagimit të zyrës së kryeprokurores Ina Rama, pas akuzave të bëra nga ministri i Jashtëm Basha, avokatët Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, thanë se procedimi penal në fjalë është regjistruar në muajin janar të vitit 2007. “Bazuar në ligjin procedural penal, afati normal i hetimit të një çështje është tre muaj. Brenda këtij afati duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq”, thanë avokatët. Sipas tyre, nga Prokuroria janë kryer zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar atë në limitet e afatit maksimal 2-vjeçar, rast ky i paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare, siç pretenduan avokatët. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme, në shkelje të funksioneve të saj kushtetuese, në vend të hetimit të shpejtë dhe objektiv të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj. “Kjo zvarritje u vërtetua përfundimisht në rrugë gjyqësore me vendimin nr. 1495, datë 18.11.2008 të Gjykatës së Tiranës e cila urdhëroi mbylljen e hetimeve për këtë çështje”, thanë avokatët. Sipas tyre, çështja në fjalë, për shkak të mosushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht jo ligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedural. “E gjendur para kësaj situate prokuroria në vazhdën e veprimeve të saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore. Prokuroria pretendon që njoftimi i akuzës është akt procedural dhe jo veprim hetimor dhe si i tillë mund të kryhet edhe jashtë afateve, por Kodi i Procedurës Penale parashikon qartë se hetimet përfundojnë me vendim pushimi ose vendim për dërgimin e çështjes në gjykatë”, thanë më tej mbrojtësit ligjorë të Lulzim Bashës dhe Andi Tomës. Sipas tyre, vendimi i pushimit ose dërgimi të çështjes në gjykatë duhet të kryhet brenda afatit të hetimeve. Avokatët sqaruan më tej se bazuar dhe në vendimin e gjykatës së Tiranës, data e fundit në të cilën Prokuroria mund të përfundonte veprimet ka qenë e enjte 6 nëntor 2008. “Çdo njoftim akuze duhej të bëhej para datës 6 nëntor 2008. Tashmë që jemi jashtë afatit të hetimeve çdo vendim apo akt për njoftim akuze është në shkelje të ligjit dhe përbën një abuzim flagrant. Gjykata ka vendosur të mos zgjasë afatin e hetimit për procedimin penal nr.1 të vitit 2007, pra gjykata i është referuar çështjes hetimore në tërësi dhe jo individëve. Ky vendim gjykate i shtrin efektet mbi procedimin në tërësi dhe mbi vetë organin e prokurorisë”, pretenduan avokatët duke theksuar se “ky vendim ndalon kategorikisht organin e Prokurorisë të kryejë çdo lloj veprimi hetimor ose akt procedural që pasuron dosjen hetimore”.
Prokuroria: Basha bëri 19 shkelje,kompetente është Gjykata e Lartë
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme tha se nuk ka kushtëzim në vendimmarrjen e dosjes “Durrës-Kukës” për ministrin Basha, pasi Gjykata e Tiranës nuk ka kompetencë lëndore të marrë vendime për persona që kanë imunitet. Një kompetencë e tillë sipas ligjit, i është dhënë vetëm Gjykatës së Lartë. Një tjetër argument i Prokurorisë është fakti, se vendimi i Gjykatës së Tiranës që shfuqizoi vendimin për shtyrjen e hetimeve u mor pas ankimit të bërë nga të pandehurit Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët vunë në lëvizje gjykatën, ndërsa ministri i Jashtëm Basha ishte njohur me shtyrjen e afatit të hetimeve, por nuk bëri ankim në gjykatë. Organi qendror i akuzës i konsideroi legjitime të gjitha veprimet dhe procedurat e ndjekura me dosjen “Durrës-Kukës”. “Nga shqyrtimi i tërësisë së dokumentacionit të marrë në Drejtorinë e Rrugëve, Ministrinë e Transporteve dhe Këshillin e Ministrave, si dhe nga pyetja e më shumë se 15 dëshmitarëve, ka rezultuar se ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha, ka iniciuar dhe ekzekutuar procedura që bien ndesh me ligjin në 19 raste”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, bëhet fjalë për prokurimin dhe tenderimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, si dhe zgjedhjen e firmës supervizore, të konsideruara si procedura të parregullta. Po kështu, mësohet se ka veprime të ish-ministrit të Transporteve të konsideruara në shkelje të ligjit në inicimin e katër vendimeve, që Qeveria mori për rrugën Durrës-Kukës. Të tjera shkelje sipas Prokurorisë, janë kryer me financimin e rrugës pa projekt përfundimtar, pa preventiv shpenzimesh dhe pa fond limit. Organi i akuzës pohon se Ministria e Transporteve ka paguar për zërat e materialeve të përdorura në ndërtimin e rrugës çmime që shkojnë në shuma më të larta sesa dyfishi i tregut. Një tjetër shkelje, nga më të rëndat që konsiderohet nga Prokuroria, është dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit nga veprimet e ish-ministrit të Transporteve dhe vartësit të tij në Drejtorinë Juridike. Sipas akt-ekspertimit vlera totale e investimit në rrugën Durrës-Kukës, shkon 1 miliard e 27 milionë euro ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit është 232 milionë euro. sipas Prokurorisë, në segmentin ku po punon konsorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka”, Ministria e Transporteve ka financiar me shifra të fryra sa dyfishi i çmimit për të njëjtat njësi në segmentet e tjera të së njëjtës rrugë. Institucioni i akuzës konfirmoi se një nga shkaqet për zgjatjen e hetimeve ka qenë kryerja e aktit të ekspertimit për dëmin e shkaktuar. Raporti është vonuar për më tepër se tre muaj nga ekspertët e autorizuar, të cilët kishin premtuar të përfundonin në fund të gushtit, por dorëzuan aktin vetëm në fillim të muajit tetor 2008. tr.so
Dade: Basha po dëmton imazhin e Shqipërisë
Partia Socialiste shprehu shqetësim dje lidhur me qëndrimin e Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha ndaj organit të akuzës. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade tha në një konferencë për shtyp në selinë e PS se ministri i pandehur Basha po përdor diplomacinë shqiptare për shfajësime tërësisht personale, duke dëmtuar kështu rëndë imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës që ndodhen, sipas saj, në procese vendimtare. Deklarata e sotme e bërë nga PS është reagim ndaj deklaratave të djeshme të Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që i vlerësoi si akuza politike, nisjen e hetimeve për shpërdorimet e rrugës Durrës-Kukës. “Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dje ka kryer një abuzivizëm tjetër me detyrën, ai ka përdorur podiumin e Ministrisë së Jashtme, të asaj ministrie që përfaqëson interesat e shtetit, për të sulmuar opozitën dhe për ta shitur çështjen ordinere ku është i përfshirë, si çështje politike”, deklaroi Dade. Ashtu siç ka kërkuar edhe më parë, Partia Socialiste kërkoi edhe sot që Kryeministri Sali Berisha ta zëvendësojë Ministrin e Jashtëm. Me pretendimin se ky ministër i marrë i pandehur nuk mund të përfaqësojë më diplomacinë shqiptare, Dade tha gjithashtu se ai duhet të ishte zëvendësuar me një figurë të denjë dhe dinjitoze, në mënyrë që të ulej si i barabartë me gjithë homologët e vet për çështje shumë madhore të Shqipërisë dhe Kosovës. Partia Socialiste akuzon Bashën se është një nga figurat përfaqësuese të korrupsionit në qeverinë e Berishës. “Tashmë nuk ka më asnjë iluzion dhe shqiptarët po binden çdo ditë, se kjo është qeveria më e paaftë dhe e korruptuar e të gjithë tranzicionit dhe pa dyshim që Lulëzim Basha është një nga figurat më përfaqësuese të këtij korrupsioni dhe paaftësi, që nis nga zyra e Sali Berishës”, tha Dade.