29 Nëntori, PD: Rama, trashëgimtar i falsifikimit të madh të historisë
Partia Demokratike e cilësoi dje kryetarin socialist, Edi Rama, si vazhdues i falsifikimit të historisë si edhe Enver Hoxha. Përmes një konference për shtyp, zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani e cilësoi festimin e 29 Nëntorit nga PS dhe kryetari i saj si një akt përçarës kombëtar. “Edi Rama, në një akt përçarës kombëtar, festoi ditën e çlirimit të vendit jo Më 28 Nëntor siç e ka faktuar historia, por në 29 Nëntor siç e caktoi lideri i Partisë Komuniste Jugosllave, Dushan Mu-gosha. Janë po ata të cilët për të goditur ndjenjat kombëtare zhvendosën ditën e Çlirimit të Shqipërisë nga Dita e Pavarësisë, në ditën e çlirimit të Jugosllavisë. Kështu që duke festuar 29 Nëntorin, Edi Rama dëshmohet trashëgimtar i falsifikimit të madh të historisë”, tha Bogdani. Zëdhënësi i selisë blu, tha dje se “duke dënuar këtë qëndrim, Partia Demokratike mbështet plotësisht vendimin e këshilltarëve të saj në Këshillin Bashkiak, për mocion mosbesimi ndaj atij që dekoroi në Tiranë, Goran Bregoviç, të njohur për urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve të Kosovës”. Duke përsëritur qëndrimin e Partisë Demokratike rreth festës së Çlirimit të vendit, zëdhënësi i saj tha se “Partia Demokratike konsideron se Enver Hoxha dhe klika e tij, ndër të cilët edhe njerëz të afërt të Edi Ramës, vendosën në Shqipëri pas luftës regjimin më barbar të kohërave, për çka ai u vlerësua edhe si Hitleri i Evropës së pas luftës. E vërteta historike është se Partinë Komuniste shqiptare e themeloi dhe e udhëhoqi Partia Komuniste jugosllave me Dushan Mugoshën dhe Mugoshët e tjerë”.