Kuvendi, nis përplasja për reformën në Drejtësi
BLEDAR HOTI
Muaji dhjetor pritet ta përfshijë Kuvendin në përplasjen e madhe mes pozitës dhe opozitës për çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Një pjesë e mirë e projektligjeve të depozituara në Kuvend nga ana e qeverisë kanë të bëjnë pikërisht me ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë. Në muajin e fundit të sesionit të vjeshtës, komisionit parlamentar të Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjeve i duhet të shqyrtojë 7 drafte, të cilat lidhet pikërisht me reformën në drejtësi. Qeveria ka paraqitur në Parlament për miratim, nga shtatori i vitit 2008, por kontradiktat mes maxhorancës dhe opozitës kanë bërë që ato të mbeten pezull. Të shtatë draftet e depozituara janë “Për administratën gjyqësore”; “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”; “Për avokaturën e shtetit”; “Për noterinë”; “Për shërbimin përmbarimor, gjyqësor, privat”; “Për ndihmën juridike”; “Për profesionin e avokatit”. Gjatë kësaj periudhe Ministria e Drejtësisë ka propozuar dhe një numër ndryshimesh në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Penal. Përplasja më e madhe mes PD-së dhe PS-së lidhet me projektligjin “Për Administratën Gjyqësore”. Opozita ka kërkuar që të zbatohen rekomandimet e Euralius-it dhe të shoqatave të ndryshme. Kjo gjë ka bërë që projektligji të mbesë për një kohë të gjatë në komisionin parlamentar të Ligjeve. Mungesa e konsensusit për një çështje të tillë ka bërë që demokratët të mos insistojnë në votimin e këtij drafti. Gjithashtu, socialistët kanë kërkuar kohë edhe për projektligjin tjetër, që ka të bëjë me krijimin e Gjykatës së re Administrative. Në mbledhjen e zhvilluar një javë më parë në komisionin e Ligjeve deputetët socialistë kërkuan 10 ditë kohë për të arritur në një konsensus. Një gjë e tillë është pranuar nga demokratët, të cilët i kanë lënë disa ditë afat opozitës për të paraqitur mendimet e tyre për krijimin e Gjykatës Administrative. Një javë më parë kryetari i PS-së, Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë u shpreh se nuk do të japë konsensusin për paketën e reformës në drejtësi të paraqitur nga ana e qeverisë. Ky qëndrim erdhi pikërisht pas miratimit të Kodit Zgjedhor nga Kuvendi. Por edhe pas këtij qëndrimi deputetët socialistë miratuan në seancë një pjesë të ndryshimeve të Kodeve Penale. Qëndrimi i dyzuar i socialistëve për reformën në sistemin e drejtësisë ka stepur demokratët në votimin e projektligjeve, të cilët kërkojnë dhe një shumicë të cilësuar votash.