E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë: Pafajësi të akuzuarit për “Pasaportat”

 

Fatos Mahmutaj 

Arben Prifti, ish-kreu juridik i Agjencisë së Prokurimit Publik ka marrë përfundimisht pafajësi nga Gjykata e Lartë për procesin “Pasaportat”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pas detyrave të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me Priftin, ka shqyrtuar katër ditë më parë dosjen “Pasaportat”, duke lënë në fuqi pafajësinë, që kishin vendosur në vitin 2003 Gjykata e Tiranës dhe Apeli për të, ndërsa Shkalla e Tretë e dënoi atë në vitin 2005 me 300 mijë lekë gjobë, pasi e gjeti  fajtor për shpërdorim detyre. Tashmë Prifti, i cili ushtron profesionin e avokatit në kryeqytet nuk i paraqitet pengesë për të rihapur procesin e pezulluar prej katër vitesh për dëmshpërblimin e tij për 10 muaj, që kaloi në qelitë e paraburgimit. Fajësia e Priftit në Gjykatën e Lartë e pezulloi këtë proces, i cili pritet të rihapet sërish në Fakt. Kushtetuesja, e cila mori në dorë ankimin e Priftit argumentoi se Gjykata e Lartë, në kundërshtim me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale e ka zgjidhur vetë çështjen në themel, duke rënduar pozitën e të gjykuarit. Sipas tyre, ky pretendim mbështetet me arsyetimin se Prifti ishte deklaruar i pafajshëm në Fakt e Apel, ndërsa dhe Gjykata e Lartë, mbi rekursin e prokurorit, pa asnjë provë të re, por me një arsyetim tjetër të vendimit, e ka deklaruar fajtor dhe dënuar atë. Në këtë mënyrë e vetmja gjë që mund të bënte Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ishte dërgimi i çështjes në gjykatat më të ulëta dhe rigjykimi i saj sipas detyrave të përcaktuara. “Sipas ligjit, Gjykata e Lartë në raste të tilla mund të vendosë pushimin e gjykimit ose urdhëron të zbatohet vendimi që ka caktuar dënimin më pak të rëndë, por në asnjë rast nuk mund të deklarojë fajtor e të dënojë të gjykuarin, që ka marrë pafajësi në shkallët e tjera të gjykimit, siç ka vepruar me Priftin”, ka argumentuar Gjykata Kushtetuese, e cila më tej pohon se Kolegji Penal ka dalë jashtë juridiksionit dhe ka marrë atributet e një gjykate fakti, gjë që e bëri procesin të parregullt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›