LSI: Qeveria asnjë masë antikrizë
LSI shprehu dje shqetësimin e saj për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend dhe pandjeshmërinë dhe indiferencën e Qeverisë, që reflekton në mosmarrjen e asnjë mase për parandalimin e kolapsit ekonomik në vend. Në një deklaratë për shtyp në emër të LSI, Nënkryetarja e kësaj partie, Filloreta Kodra përcolli gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve duke iu referuar rritjes së çmimeve të produkteve jetike për shqiptarët.
“Ndërsa çmimi i karburanteve në botë është ulur tre herë, në Shqipëri është ulur vetëm 20%, duke abuzuar hapur me konsumatorët. Gjendja e rënduar ekonomike duket qartë edhe në rritjen e pakontrolluar të çmimeve të produkteve më të domosdoshme të përditshme e më jetësorë për qytetarët, që ndikon direkt në uljen e nivelit të jetesës së tyre”. Kodra solli në vëmendje të opinionit shqiptar Maqedoninë fqinje, që ndryshe nga Shqipëria ka hartuar strategji përkatëse për çdo goditje të mundshme nga kriza ekonomike botërore.