E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, trojet që do të privatizohen

 

ADI SHKEMBI

Qeveria i jep të drejtën e parablerjes pronarëve, që u është njohur toka në 8 objekte në Tiranë me sipërfaqe 117.027 m2 (11.7 ha). Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është shqyrtuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për një ndryshim në vendimin e vitit 1999, që ka të bëjë me kalimin e të drejtës së përfaqësuesit të pronarit për disa objekte, pronë publike e organeve të qeverisjes vendore. Sipas këtij propozimi, kjo ministri do të marrë nga Bashkia e kryeqytetit ndërmarrjet, ndërkohë që pronarët do të kenë të drejtën e parablerjes.
Vendimi
Sipas propozimit, tetë objekte (Metalike Tirana-Laprakë; Metalike Tirana (reparti i orëve); Ofiçina e automjeteve; Uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve; Uzina e remontit të makinave metalprerëse; Uzina mekanike; Rërë shtufi; Parku i transportit) do të ndryshojnë varësinë nga Bashkia e Tiranës te Ministria e Energjetikës. “Këshilli i Ministrave vendosi: në listën e objekteve, që i bashkëlidhen vendimit nr. 378, datë 12.8.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqen pasuritë, sipas listës që i bashkëngjiten këtij vendimi. Pasuritë e mësipërme transferohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në p/vendimin e shqyrtuar në mbledhjen e fundit të qeverisë. Sipas relacionit të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli “METE me tagrin e përfaqësuesit të pronarit shtet, ndjek në vazhdimësi procesin e privatizimit, duke zbatuar detyrimin ligjor, që çdo institucion qendror apo vendor ka ndaj pronarëve të ligjshëm në zbatim të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, si dhe në zbatim të politikave të qeverisë për mbështetjen e ish-pronarëve. Nisur nga kërkesat e pronarëve të truallit, kjo ministri ka pasur një korrespondencë shkresore me Bashkinë e Tiranës, në lidhje me privatizimin e objekteve të kësaj bashkie, trualli i të cilave i është njohur subjekteve të shpronësuara dhe këto subjekte kanë të drejtën e parablerjes”. Në relacion shpjegohet gjithashtu, se Bashkia e Tiranës ka marrë në shqyrtim funksionet e të gjitha ndërmarrjeve që ka në pronësi të saj dhe ka rezultuar se tetë ndërmarrjet, që parashikohen në këtë vendim nuk i duhen më për nevoja publike. Në këtë mënyrë, me vendim të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës ka rënë dakord për heqjen e të drejtës së përfaqësuesit shtet për këto objekte. “Këshilli Bashkiak i Tiranës me vendimin nr. 46, datë 28.09.2007 është shprehur dakord për heqjen e të drejtës së përfaqësuesit të pronarit shtet Bashkisë Tiranë, për disa objekte, pasi është shprehur për qëllimin jo publik të këtyre pronave. Në këto kushte është përgatitur ky projektvendim, i cili synon që e drejta e përfaqësuesit të pronarit shtet për disa objekte, të cilën e kishin organet e qeverisjes vendore, në rastin e këtij projekti Bashkia e Tiranës, t’ia kalojë METE-s”, theksohet në relacion. Sipas Rulit “Qëllimi i heqjes së kësaj të drejte është që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të ushtrojë të drejtën e tij për kryerjen e procedurave të privatizimit, duke zbatuar kështu dhe të drejtat, që i jep ligji pronarëve të truallit për këto objekte”.

Lista e objekteve

Metalike Tirana- Laprakë, Tiranë
        Sipërfaqja prej 13.000 m2

Metalike Tirana- Tiranë (reparti i orëve)
        Sipërfaqja prej 418 m2

Ofiçina e automjeteve, Tiranë
        Sipërfaqja prej 14.502 m2

Uzina e pjesëve të ndërrimit
të automjeteve, Tiranë
        Sipërfaqja prej 15.000 m2

Uzina e remontit të makinave
metalprerëse, Tiranë
        Sipërfaqja prej 17.850 m2

Uzina mekanike, Tiranë
        Sipërfaqja prej 10.623 m2

Rërë shtufi, Tiranë
        Sipërfaqja prej 11.863 m2

Parku i transportit, Tiranë
        Sipërfaqja prej 33.771 m2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›