Avokatët e Kumbaros: Të përjashtohen gjyqtarët
TIRANE - Ilir Kumbaro, një nga të pandehurit e dosjes "Remzi Hoxha" tek Krimet e Rënda kërkoi dje përjashtimin gjyqtarëve të kësaj çështjeje. Kërkesa e njërit prej ish-agjentëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës rrezikon të zgjasë edhe për disa kohë, procesin që ishte pranë përfundimit. Kërkesa e avokatëve të Kumbaros u bazua në faktin se pesëshja gjykuese ka vlerësuar një seancë më parë një masë sigurimi për klientin e tyre. Sipas avokatit Bledar Fejzo vlerësimi i masës së sigurisë duhet të bëhej nga të tjerë gjyqtarë dhe jo nga trupa që po gjykon themelin e çështjes. "Ju ndodheni në një situatë të papajtueshme për funksionin tuaj në këtë gjykim. Vendimi i marrë nga ju një seancë më parë është tërësisht i paligjshëm, pasi ju nuk jeni gjykata kompetente për ta marrë atë, në një kohë që jeni duke gjykuar themelin e çështjes", argumentoi avokati Fejzo. Që nga fillimi i seancës kryesuesi i saj, gjyqtari Xhelal Elezi bëri të ditur refuzimin që i ishte bërë kësaj trupe për dorëheqje. Sipas kryesuesit Elezi, për shkak se titullari i Gjykatës për Krimet e Rënda është pjesë e trupës gjykuese të dosjes "Remzi Hoxha" kërkesa e tyre për dorëheqje ishte shqyrtuar nga kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda. Kërkesa e avokatëve të Kumbaros do të shqyrtohet në ditët në vazhdim tek Krimet e Rënda. Pranimi i kërkesës do të çonte në zgjedhjen e një trupe të re gjykuese, që do të thotë që procesi, që ishte drejt fundit, të "rinisë". Në 15 dhjetor Krimet e Rënda rivendosën "arrest me burg" për Kumbaron, masë që ishte shuar nga Gjykata e Lartë pak ditë më parë. Bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë, drejtësia e Anglisë, ku ndodhet aktualisht Kumbaro rrëzoi kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e tij. ar.ba