E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, vaksinohen të parët bluzat e bardha

 zirina llambroPersoneli mjekësor është vaksinuar i pari ndaj virusit A/H1N1. Dje në ambientet e spitalit infektiv në QSUT  janë imunizuar ndaj virusit mjekët, infermierët dhe pjesa tjetër e stafit, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e prekur me gripin e derrit. Ndërkohë nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë, vaksina do të dërgohet edhe në qendrat shëndetësore. Do të jenë grupet e riskut ndaj këtij virusi si fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna, ato që do të përfitojnë të parët këtë vaksinë.“Personeli shëndetësor i shërbimeve të infektivit i qendrave të terapisë intensive në të gjithë vendin, në të 12 spitalet rajonale dhe QSUT ka filluar vaksinimi i personelit mjekësor. Nesër vaksina do jetë disponibël edhe për qendrat shëndetësore të Tiranës dhe të rretheve të tjera gradualisht, për t’u vënë në dispozicion të grupeve të tjera të riskut siç janë, fëmijët e vegjël apo të sëmurët kronikë. Vaksina dhe vaksinimi është falas” u shpreh dje Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Ai shtoi se efektet anësore të vaksinë janë shumë të lehta dhe kalojnë brenda 24 orëve. Personat që kanë alergji nga veza nuk do ta aplikojnë këtë vaksinë, pasi ajo në përbërje ka pikërisht këtë produkt. Vaksina ndaj virusit A/H1N1 në vendin tonë ka ardhur nga Hungaria. Janë dhjetë mijë doza, ndërkohë që në javët në vijim pritet kontigjent tjetër. Vaksina është 0.5 miligramëshe dhe organizmi i pacientit që e injekton atë fiton imunitet brenda 8 ditëve. Të gjitha qendrat shëndetësore, ku do të aplikohet kjo vaksinë do të jenë të pajisura edhe me antidote të ndryshëm për alergjitë që ajo mund të shkaktojë. Nga gripi i derrave në vendin tonë kanë humbur jetën deri tani 6 persona. Numri i të prekurve është i lartë, por nga sa konfirmon Ministria e Shëndetësisë kemi një tendencë rënie të epidemisë. Mjekët bëjnë apel për të mos neglizhuar shenjat e gripit, qoftë të atij të zakonshëm dhe atij të derrave. Aktualisht në reanimacion janë edhe 5 persona të tjerë në gjendje kritike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›