E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Afat qeverisë deri më 15 janar

 Mesi i muajit janar është afati i fundit që Shoqata e Ndërtuesve u ka vendosur institucioneve për plotësimin e kërkesave të saj ose në të kundërt duhet të priten pasojat. Një maratonë takimesh me Kryeministrin, disa ministra dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës janë programuar dhe nëse ato nuk do të zhvillohen aktivi i shoqatës do të mblidhet për marrjen e masave. “Shoqata do insistojë që këto takime të realizohen brenda 15 Janarit 2010 dhe rezultatet e saj do t’ia raportojë aktivit të Janarit 2010 në të cilin do të gjykohet mbi masat dhe përshkallëzimin e reagimit në funksion të rezultatit” thuhet në deklaratën e shoqatës. Në vazhdën e këtyre kërkesave disa ditë më parë ndërtuesit “kërcënuan” se nëse do vazhdonte të injorohej dialogu dhe zgjidhja e situatës së tyre atëherë do të kërkohet që të pezullohet puna në kantiere dhe të mos bëhet derdhja e detyrimeve për atë periudhë. Listës së takimeve i shtohen edhe një sërë kërkesash të tjera siç janë ulja e tensionit politik në vend dhe respektimi i ndërtuesve. Aktivi ka diskutuar gjithashtu problematikat dhe vështirësinë financiare që kanë shoqëritë e ndërtimit duke e lidhur këtë me një sërë ngërçesh institucionale. “Mosfunksionimi i KRT-ve të bashkive në vend, mosmiratimi i planeve rregulluese në Tiranë dhe qytete të tjera, mosmarrja në konsideratë e biznesit të ndërtimit në disa vendime, ligje, udhëzime që prekin këtë të fundit siç janë pagat dhe çmimet referuese në ndërtim që kërkohet të bëhen obligative, çmimet e shitjes referuese të apartamenteve, kalimi i pronësisë, problemet e licencimit të ndërtimit e projektimit” janë disa nga shkaqet që përmenden në deklaratë dhe që lidhen me situatën e vështirë që është krijuar. Një tjetër problematikë që parashtrohet nga aktivi është likuidimi i situacioneve për shoqëritë e infrastrukturës të cilat kanë kryer punë dhe nuk u janë likuiduar situacionet e punimeve të kryera. “Me gjithë se është bërë një program dhe pjesërisht ka filluar likuidimi përsëri situata financiare  e shoqërive është e rënduar pasi kanë marrë kredi dhe nuk janë në gjendje ti shlyejnë” thuhet në deklaratë. Pas parashtrimit të këtyre kërkesave Shoqata e Ndërtuesve bën të ditur se do të procedojë me informimin e disa institucioneve në rrugë zyrtare. Ashtu siç thuhet edhe në deklaratë brenda 15 janarit pritet që të zhvillohen takimet e kërkuara ose në të kundërt 2010 do të fillojë me një konflikt të ri.                           n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›