E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten natën lekët e ndihmës ekonomike

 PUKE - Vidhet ndihma ekonomike në komunën Gjegjan të Pukës. Sipas informacioneve nga komisariati i Pukës mësohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë, duke thyer zyrën e financës së komunës, ku morën 2 milionë lekë të destinuara për t'iu shpërndarë familjeve në nevojë. Nga hetimet paraprake është mësuar se grabitësit kanë hyrë nga dritarja e godinës dhe më pas kanë thyer derën e zyrës së financës. Aty kanë hapur me forcë kasafortën ku gjendeshin paratë, duke u larguar pa u pikasur. Vetëm kur në godinën e ndërtesës kanë shkuar punonjësit e administratës, rreth orës 08:00 të mëngjesit është kuptuar se në ambientet e brendshme është kryer vjedhja e parave. Më pas kanë qenë drejtues të Komunës Gjegjan që kanë bërë denoncimin në polici. Në vendngjarje ka mbërritur një grup hetimor nga policia e Pukës, si dhe një grup tjetër i luftës kundër krimit ekonomik nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që janë ngritur disa pista hetimi ku sipas policisë nuk përjashtohet dhe mundësia që autorët e vjedhjes të kenë pasur bashkëpunëtorë nga punonjës të komunës, të cilët mund të kenë luajtur rolin e informuesit për sasinë dhe vendndodhjen e parave. Për këtë arsye, në ambientet e komisariatit të Pukës janë shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe punonjës së komunës Gjegjan. Megjithatë, deri në orët e vona policia nuk ka njoftuar për ndonjë të ndaluar.                  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›