Shpërblimet e fundivitit, Posta: 40 mijë pensionistë morën paratë
Vetëm gjatë ditës së djeshme, mbi 40 mijë pensionistë tërhoqën pensionin dhe shpërblimin e fundvitit në zyrat e Postës Shqiptare. Në total numri i pensionistëve që duhet të marrin shpërblimet, 2500 lekë për festat e fundvitit, është 555 mijë. "Vetëm sot (dje) 40052 pensionistë kanë mundur të tërheqin shpërblimet në sportelet e Postës Shqiptare ose 10 herë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", theksohet në njoftimin e postës. Të ndarë sipas numrit, më shumë shpërblime janë dhënë në Mat, rreth 10 mijë, Berat 2020, Durrës, 3714, Elbasan 3835, Fier 1950, Lushnjë 540, Gjirokastër 1407, Korçë 2630, Kukësi 680, Lezhë 2015, Shkodër 3469, Tiranë 5690, Vlora 1732, dhe Saranda 370. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, janë marrë masat e duhura në të gjitha sportelet e filialeve. "Prej ditës së parë të shpërndarjes së pensioneve, të martën më 22 dhjetor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postave Shqiptare ka nisur organizimi i shërbimit për marrjen e informacionit nga të gjitha filialet mbi aktivitetin ditorë për shpërndarjen e shpërblimeve. Ky shërbim do të jetë deri në orën 22:00 të mbrëmjes si dhe pa ndërprerje", theksohet në njoftimin e postës. Sipas të dhënave, grupet e punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës do të ndjekin nga afër situatën për përmbushjen e detyrave të rëndësishme me rastin e festave të fundvitit, sikurse është dhe shpërblimi i pensionistëve. Do të kontaktohet sistematikisht me të gjithë drejtuesit e filialeve, për t'u njohur me situatën si dhe për çdo problem të konstatuar të informojë drejtuesit e shoqërisë me qëllim që t'i jepet zgjidhje.