E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i Nënë Terezës, qeveria angazhohet në ngritjen e një muzeu

Kryeministri Berisha njoftoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ngritjen e një komiteti për organizimin e veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. “Ky vit, për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të jetë viti i Nënë Terezës. Këtë vit, gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli që me misionin e saj të pushtojë zemrat e jo miliona, por miliardave njerëzve në planet e të shpallet Nënë e mbarë njerëzimit, ka 100-vjetorin e lindjes së saj. Në të gjithë jetën e saj, Nënë Tereza u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm te Zoti, vlerat, dashuria dhe forca e saj transformuese, shpresa dhe forca e saj udhërrëfyese. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut sesa ajo, me veprimtarinë dhe virtytet e saj”, - u shpreh kryeministri dhe bëri të ditur se ky komitet do të kryesohet nga ministri i Kulturës, në përbërje të të cilit do të jenë personalitete të të gjitha fushave. Në kuadër të këtij 100-vjetori, krahas aktiviteteve të tjera, parashikohet edhe fillimi i ngritjes së një muzeu në sheshin me të njëjtin emër, kushtuar jetës dhe aktivitetit të Nënë Terezës. “Kryeqyteti i vendit ka një ndër sheshet më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban emrin e saj. Ky shesh duhet të ketë përkujdesjet e nevojshme për këtë 100-vjetor. Shtatorja e Nënë Terezës është e vendosur, mendoj, me një përzgjedhje jo të goditur, ndaj ajo duhet të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet e të vendoset në sheshin që mban emrin e saj. Nga grupi i punës ka një ide që të ngrihet një muze për të paraqitur e njohur qytetarët shqiptarë dhe miqtë që vijnë në Shqipëri me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Ka pasur mendime të ndryshme dhe kjo është normale, por në tërësi predominon mendimi se nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër gjigante, por për një muze që të shprehë të gjithë dhuntitë e shpirtit të saj. Ndaj në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe autoritetet e qeverisë vendore të kryeqytetit duhet të procedohet që hapësira midis rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik përbën një hapësirë mjaft të goditur për një muze, në proporcion me përmasat e sheshit”, - është shprehur kryeministri. Po kështu Berisha kërkoi që Ministria e Kulturës të marrë në mbrojtje shtëpinë në të cilën kanë jetuar nëna dhe motra e Nënë Terezës në Tiranë.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›