Festa e 29 Nëntorit fut në “sherr” LSI-në me PD-në
Rama e cilëson të papërgjegjshëm propozimin e deputetëve demokratë
Eljona Ballhysa
Festa e 29 Nëntorit gjatë 20 viteve të pluralizmit ka qenë objekt debati politik për shkak se kjo datë nuk pranohet nga PD-ja si dita e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Por së fundi kjo datë ka krijuar mosmarrëveshje mes partive të koalicionit qeveritar, konkretisht mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pak ditë më parë një grup deputetësh demokratë propozuan që më 29 Nëntor të përkujtohen të vrarët nga regjimi komunist, duke fshirë nga kalendari i festave Ditën e Çlirimit të vendit. Ky propozim është hedhur poshtë dje nga sekretari i LSI-së, Luan Rama, i cili e ka cilësuar këtë propozim të pamenduar mirë nga ana e PD-së. Sipas Ramës, 29 Nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë, si një popull antifashist e kontribuues me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i LSI-së ka mbështetur nismën që shteti të hetojë dhe të bëjë të mundur gjetjen e eshtrave dhe ndërtimin e varreve për ata persona që janë vrarë nga regjimi komunist.
Reagimi
“Dëshiroj të nënvizoj se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 Nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 Nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontribuues me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist. Duke mos e konsideruar atë propozim si qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, dua t’u kujtoj deputetëve të rinj të PD-së se me propozimin dhe insistimin e deputetëve të PD-së kur ajo ishte në opozitë, kur u miratua ligji “Për shpalljen e Ditës së Kujtesës” ku u shtuan edhe dy pika. Pika 3: ‘Dita e kujtesës është ditë e përkujtimit të përndjekjes së shqiptarëve në formën e zhdukjes fizike, burgosjes, internimit, dëbimit dhe spastrimit etnik’. Pika 4: ‘Dita e kujtesës është ditë homazhi dhe reflektimi për cilindo që ka qenë objekt i dhunës kolektive, në formën e etnocidit, gjenocidit dhe aparteidit’, - është shprehur sekretari i LSI-së, i cili i ka kujtuar deputetëve të PD-së se ekziston një ditë që përkujton të vrarët nga regjimi komunist. Sipas Ramës, nëse kërkohet një datë tjetër për nderimin e të pushkatuarve nga regjimi, kjo duhet të vijë si rezultat i një diskutimi të gjerë. “Nëse do të duhet që për arsye më specifike të nderohen edhe me një datë tjetër këto viktima, të përcaktohet një datë homazhi apo një datë tjetër nderimi dhe memorie, kjo nuk mund të jetë zgjidhje që vjen si pasojë e emocionit të krijuar për shkak të efekteve e dhimbjes njerëzore si pasojë e gjetjes së atij varri masiv, por kjo duhet të jetë produkt diskutimi edhe me përfshirjen e institucioneve që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të përndjekurve politikë, në mënyrë që gjithçka të jetë në respekt të sakrificës dhe dhimbjes së të gjithëve. Sepse midis atyre me apo pa varr, dhe atyre që nuk u janë gjendur eshtrat, ka edhe nga ata të cilët kanë qenë partizanë dhe komandantë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për Shqipërinë dhe për të cilët 29 Nëntori është e njëjta ditë e çlirimit të Shqipërisë, pavarësisht se si u soll sistemi apo tërësia e institucioneve të diktaturës edhe ndaj vetë atyre që bënë Luftën Nacional Çlirimtare”, - është shprehur Rama. Ai shtoi se
“29 nëntori ka vendin e vet në histori dhe nuk mund të tjetërsohet si datë, ajo nuk mund të bëhet referencë për të tjera ngjarje, të cilat mund të përkujtohen e nderohen në një datë tjetër në morine e shume ditëve qe ka viti”.
Kërkimi
Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbështeti nismën e qeverisë për kërkimin e eshtrave të personave të vrarë nga regjimi dhe ndërtimin e varreve të tyre.
“Ngjarje si ajo e ditëve të fundit, kur në periferi të Tiranës u zbuluan eshtrat e disa të vrarëve që mendohet të jenë të të pushkatuarve të sistemit totalitar, sjellin në vëmendjen e gjithsecilit prej nesh një dimension gjithnjë e më të trishtë, për rrjedhojë edhe një pamje me reale të përmasave makabre të luftës se klasave që realizohej përmes sistemit të organeve të Diktaturës së Proletariatit. LSI thekson nevojën e një vëmendjeje më të madhe shtetërore dhe të një angazhimi real, për të bërë të mundur që familjarët e tyre të kenë mundësinë të paktën që të afërmit e tyre, viktima të regjimit komunist, të prehen në një varr. Kjo gjë parakupton që kërkimi, identifikimi dhe rivarrimi i tyre të mos mbetet në dorë të individëve të interesuar, por të bëhet nga shteti. Ky është edhe nderimi e respekti më i madh që mund të tregohet ndaj tyre dhe ndaj familjarëve që u përndoqën e persekutuan”, - është shprehur Rama.
Berisha: “Javën e ardhshme krijojmë Task-Forcën për personat e vrarë nga regjimi”
Pak ditë pas gjetjes së disa skeleteve njerëzore në malin e Dajtit, qeveria angazhohet të ngrejë një grup të posaçëm pune për zbulimin e trupave që u ekzekutuan nga regjimi komunist. Këshilli i Ministrave do të miratojë në mbledhjen e tij të ardhshme ngritjen e një Task-Force për kërkimin këtyre eshtrave. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha informoi mediat mbi këtë vendim të rëndësishëm, ndërsa theksoi se “Task Forca do të merret me kërkimin dhe gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve dhe punonjësve, qytetarëve të këtij vendi që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm sepse besonin te fjala e lirë, te Zoti, te vendi i tyre, pra në vlera sa hyjnore aq edhe njerëzore”. Kryeministri kërkoi që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të përgatisin vendimin që përcakton procedurat e ngritjes së kësaj Task-Force dhe ta sjellin atë në qeveri. Tri ditë më parë, më 7 shkurt, në afërsi të komunës Linzë, pranë malit të Dajtit, u zbulua një varr masiv ku u gjetën eshtrat e 19 personave, që mendohet se janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste.
Eshtrat u gjetën në sajë të kërkimeve të djalit të njërit prej atyre qindra të dënuarve nga diktatura, të cilëve regjimi komunist u mohoi edhe të drejtën për të pasur një varr.
11 Shkurt 2010